Taksistët e licencuar të Shkodrës po dëmtohen nga konkurrenca e pandershme. Ata kanë kërkuar dhe kanë marrë vëmendjen e mediave lokale, të cilave u kanë shprehur shqetësimet e tyre. Është “puna e zezë” ajo që po i dëmton ata së tepërmi. Taksistët e taksive 4+1 thonë se persona me mjete të palicencuara, po u marrin klientët. “Ndoshta jemi ne gabim që paguajmë”, shprehen ata.
Në mikrofonat e mediave, ata pohojnë se janë dëmtuar edhe nga pandemia. Ndërsa ata zbatojnë rregullin jo më shumë se dy persona në makinë, të tjerët marrin edhe nga katër dhe madje, edhe në rrugë Tirane. “Kush i lejon ata të udhëtojnë edhe gjatë orës policore, kur janë edhe të palicensuar”, shprehen taksistët.
Për zgjidhjen e problemeve të tyre, ata kërkojnë ndërhyrjen e instancave të shtetit. Duhet theksuar se prej vitesh tashmë, vazhdon ky “avaz” ku ata që licencohen, paguajnë taksat sipas ligjit, po penalizohen nga “taksitë e zeza”, siç i quajnë të palicensuarit ata. /ShkodraWeb Media/