Kryeministri Rama ka prezantuar sot më të mirët nga procesi i përzgjedhjes “Deputeti që duam”. Në një aktivitet të transmetuar direkt në media dhe në rrjetet sociale, janë ngjitur në skenë, kanë folur, pyetur e replikuar me shefin e qeverisë 10 kandidatë për kandidatë të PS- së në zgjedhjet e 25 prillit.
Rama ka thënë se rreth 1581 kandidatë janë vetëofruar, ndërsa sot janë përzgjedhur vetëm 10 për t’ iu prezantuar publikut. Në fund, në skenë është ngjitur edhe këshilltarja e PS- së në Shkodër, Jona Leqejza. Bashkë me një përfaqësuese të Durrësit, Leqejza ka ulur siparin e prezantimit të 10 më të mirëva nga PS- ja. Madje, ajo nuk ka kursyer as ndonjë kritikë të vogël për kryeministrin.
Pas kandidimit në 2019-ën dhe marrjes së postit të këshilltares e në vijim të kryetares së Komisionit të Financës dhe Ekonomisë në Këshillin Bashkiak Shkodër, Jona Leqejza tregon ambicje politike edhe për në një nivel tjetër, atë të përfaqësimit të PS- së në Kuvend. Pas daljes së saj ndër 10 më të mirët e përzgjedhjes, shanset që emri i saj të jetë në listën e PS- së për qarkun Shkodër si kandidate me 25 prill, janë të larta.
Duket se Jona po ndjek gjurmët e babait të saj, Gjergj Leqejza. Përveçse biznesmen i suksesshëm, Gjergj Leqejza ka qenë prefekt i Shkodrës, kandidat për kryebashkiak dhe kandidat për deputet, si përfaqësues i Partisë Socialiste. Aktualisht dhe prej shumë vitesh, mban postin e Konsullit të Nderit të Austrisë në Shkodër. /ShkodraWeb Media/