Sfida mes Apolonisë dhe Partizanit është mbyllur me rezultatin e barabartë 1-1. Ishin fierakët që kaluan të parët në avantazh, falë një autogoli të Esin Hakajt në minutën e 24-ët. Që pas pësimit të golit, skuadra e Partizanit shtyu përpara në kërkim të përmbysjes.
Por, “demat” u ndaluan shumë herë në mënyrë spektakolare nga portieri i Apolonisë, Harizaj. Gardiani 22-vjeçar kreu disa pritje shpëtimtare për skuadrën e tij, duke e mbajtur rezultatin 1-0 në favor të skuadrës së tij. Megjithatë, Partizani arriti të gjejë rrjetën në minutën e 76-të, me anë të sulmuesit brazilian, Lukas Kardozo.
Në minutat e mbetura, të kuqtë kishin dhe disa mundësi të tjera për të shënuar sërish, por pas vërshëllimes finale të gjyqtarit Andi Koçi, skuadrat u ndalën në barazim 1-1.
Partizani lë dy pikë në Fier, ndërsa Apolonia i largohet ecurisë me tre humbje radhazi, duke i marrë një pikë të kuqve të Ilir Dajës.