Një qytetar është lidhur me zinxhir përpara Bashkisë së Lezhës, për të protestuar. Sipas informacioneve, Huanito Martini, qytetar nga Shkodra, ka lidhur veten në shtyllën e dritave pranë bashkisë.
Ai ka treguar për mediat se në fshatin Balldren i kanë zaptuar dhjetëra hektarë tokë. Sipas tij, nuk i është dhënë drejtësi në vendin tonë për problemin e tij.
“Mua më ka vdekur edhe motra aty. Kemi kujtime, hidhërime aty. Kërkojmë njohjen e pronarëve legjitimë të këtij vendi. IKMT, bashkia, i kam bërë thirrje edhe Pjerin Ndreut.
Përgjigja e tyre është se ata lejojnë të ndërtojnë në tokat e pronarëve të vjetër. I them kryeministrit zbato ligjin dhe Presidentit respekto Kushtetutën. Do përgatis edhe grevë urie. Nuk e gëzon asnjë pronën e babait tim. Nuk po gjej zbatim”, thotë ai.