Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, pritet të japë dorëheqjen pas kërkesës që Kryeministri Rama i ka bërë për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në këtë qark.
Mësohet se ky propozim ka ardhur pas përplasjeve që Leli ka pasur me drejtuesin politik të PS-së në këtë qark, Damian Gjiknurin, të cilët janë dy nga pikat e forta të rezultatit zgjedhor në këtë bashki.
Aq e dukshme është kjo, saqë nënkryetar të Bashkisë Gjiknuri ka vendosur Afrim Qendron, i cili si edhe Leli, u shpërngul nga Tirana në Vlorë.
Qendro ka qenë drejtues i shtabit elektoral të PS-së në këtë qark, ndërsa kujtojmë se ka qenë një nga bashkëpunëtorët e vjetër të Gjiknurit, kur ai ishte ministër i Energjetikës dhe Infrastrukturës.
Afrim Qendro mbante postin e drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Mësohet se drejtuesi politik i qarkut e konsideron Lelin një pikë jo të fortë elektorale për Partinë Socialiste në këtë qark, ku kandidon për një mandat të tretë edhe Kryeministri Rama.
Këto ditë Rama i ka bërë Dritan Lelit një ofertë, që ai nuk mund ta refuzojë. I ka kërkuar të japë dorëheqjen nga Bashkia dhe të pranojë të futet si kandidat për deputet në listën e Vlorës.
Një lëvizje e tillë edhe justifikon mënjanimin e Dritan Lelit pa zhurmë nga Bashkia e Vlorës, edhe i krijon Gjiknurit terren për të punuar “i qetë” duke e shfrytëzuar plotësisht institucionin për fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit.
Por propozimi i Ramës nuk është pritur mirë nga Dritan Leli. Mësohet se kryebashkiaku e ka refuzuar propozimin e Kryeministrit Rama për të dhënë dorëheqjen. Leli, me profesion mjek, la Tiranën për të drejtuar Bashkinë e Vlorës në vitin 2015.
PËR KOHËN E LIRË, ARGËTIMIN TUAJ, MBI 6 ORË HUMOR I ZGJEDHUR PËR KËNAQËSINË TUAJ! JEPI “PLAY” DHE SHIJO!