Mbrëmjen e kaluar është publikuar lista e kandidatëve të PD- së për Qarkun e Shkodrës për zgjedhjet e 25 prillit. Pjesë e saj, janë edhe dy nënkryetarët e Bashkisë së Shkodrës, Emilia Koliqi dhe Arben Gjuraj. Koliqi është renditur e dyta në listë ndërsa Gjuraj është në vendin e 11- të në listë. Përveç pjesës profesionale, përfshirja e dy nënkryetarëve në listat e PD- së, është një vlerësimi për kontrobutin e tyre politik por edhe për performancën e Bashkisë Shkodër. Sipas përcaktimeve në Kodin Zgjedhor, dy nënkryetarët e Bashkisë së Shkodrës nuk duhet të japin dorëheqjen nga funksionet që mbajnë aktualisht në qeverisjen vendore. Megjithatë, në ditët në vijim do të mësohet më shumë.
Sivjet, gara për mandatet e deputetëve në qarqe, paraqitet interesante dhe me mundësi, të paktën teorike, për secilin në këtë listë, për të siguruar një vend në Kuvendin e ardhshëm. Këtë herë, qytetarët kanë në dorë dy vota: Një për subjektin politik që preferojnë dhe brenda listës së këtij subjekti, edhe për kandidatin e tyre të preferuar. Nëse një kandidat kalon qoftë edhe me një votë numrin mesatar të votave që një subjekti politik i janë dashur për të siguruar një mandat, automatikisht ai ngjitet në listë duke spostuar ata që janë në vendet e para të renditjes.
Kështu që, përveç se do të kërkohen vota për subjektin politik të PD- së, kandidatët mund të kërkojnë vota edhe individuale, duke i dhënë jetë një gare brenda familjes. Pikërisht kjo, i bën mjaft interesante zgjedhjet e 25 prillit ku nuk përjashtohet që lista e propozuar në KQZ nga një subjekt politik, të pësojë ndryshime në renditje. /ShkodraWeb Media/