“Është një kombinim vlerash njerëzore dhe profesionale që do të kontribuojnë për Shkodrën tonë”, ky është përcaktimi që ka bërë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi për listën e kandidatëve për deputetë të PD- së në Qarkun e Shkodrës. Në një publikim në faqen zyrtare në Facebook, Ademi shprehet se 25 prilli është caku që ndan dy modele, dy qasje krejtësisht të ndryshme e njëra- tjetrën në ndërtimin e shtetit.
Publikimin e saj në Facebook, kryebashkiakja e Shkodrës e shoqëron me një foto, ku ajo është bashkë me 4 kënkryetarët e saj në Bashki. Pjesë e listës së PD-së në zgjedhjet e 25 prillit janë edhe dy nënkryetarët Emilia Koliqi dhe Arben Gjuraj.
PUBLIKIMI I VOLTANA ADEMIT NË FACEBOOK
Politika është alternativë dhe mundësi zgjedhje për qytetarët! Duke njohur nga afër dhe duke bashkëpunuar për gjatë shumë viteve me Helidonin, Emilian, Gretën, Bardhin, Izmirën, Arbenin, Helgën dhe të gjithë ekipin e PD- së për zgjedhjet e 25 Prillit 2021, jam e bindur se është një kombinim vlerash njerëzore dhe profesionale që do të kontribuojnë për Shkodrën tonë.
Programi i Partisë Demokratike dhe kryetarit Basha, është pikënisja e asaj që shqiptarët presin prej 8 vitesh: Largimin e një kaste që ka uzurpuar çdo gjë dhe që e keqpërdor, për t’i hapur rrugën qeverisjes së vertetë të Shqipërisë në interesin e parë dhe të vetëm të qytetarëve të saj!
25 Prilli 2021, është caku që ndan dy modele, dy qasje krejtësisht të ndryshme me njëra tjetrën në ndërtimin e shtetit, për të sotmen dhe të ardhmen! Zgjedhja është në dorën tonë, në dorën e secilit nga ne dhe si gjithmonë, edhe këtë herë, Shkodra do të lërë gjurmën e saj: Do ti prijë nisjes së një qeverisje të re në sherbim të shkodranëve e shqiptarëve!
Ekipi i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ekipi ynë i Shkodrës, janë guri i themelit i Fitores dhe ndryshimit të shumë pritur nga të gjithë! Pa dyshim, alternativa më e mirë për 25 Prillin!
#ShkodraFiton
#ShqiperiaFiton