Nga Eugent ZEKAJ
Është normale në futboll që sa më mirë të bëjë një skuadër, aq më shumë rriten edhe pretendimet e kerkesat në drejtim të saj. Sjell një shembull, për të kuptuar më mirë. Edhe sikur të fitohen të gjitha ndeshjet një apo dy me zero, njerëzit përsëri nuk do të kenë të ngopur, por do të rrisin kerkesat e pretendojnë të fitohet me rezultate edhe më të thella e loje më spektakolare. E mira nuk ka fund, thote një shprehje.
E njëjta gjë po ndodh edhe me Vllazninë në këtë sezon futbollistik. Ecuria e mrekullueshme deri pak javë më parë dhe kryesimi i tabelës së klasifikimit nga fillimi i kampionatit deri tani, ka rritur jo vetëm entuziazmin, por edhe kerkesat dhe pretendimet e të gjithëve në drejtim të skuadrës. Si rrjedhim, janë rritur jo vetëm përgjegjësitë e protagonistëve që zbresin në fushë, por edhe presionet ndaj tyre.
Sot, Vllaznia ndodhet përseri në krye të klasifikimit, pikërisht aty ku do të dëshironte të ishte çdo skuadër tjetër. Ndodhet në këtë pozicion me meritë, falë fitoreve dhe përformancave të mrekullueshme në dy fazat e para. Askush mund ta mohoje këtë, gjithashtu edhe nuk duhet ta harrojë. Vllaznia e këtij sezoni ka treguar të jetë ndryshe nga ajo e viteve të fundit dhe vazhdon të jetë në garë denjësisht e pretendente për të gjitha objektivat e mundëshme.
Mungesa e rezultateve në javët e fundit, besoj kanë bërë të humben disa pikë, por jo leksionet. Aftesitë e stafit teknik dhe lojtarëve për të identifikuar problemet dhe për të pasur së shpejti një feedback pozitiv, nuk mungojnë. Janë të njëjtit që na kanë dhuruar emocione të mrekullueshme dhe vazhdojnë me meritë të mbajnë vendin e parë në kampionat dhe akoma në garë për kupën e Shqipërisë. Prandaj, nuk kemi arsye të mos besojmë tek ato dhe aftësitë e tyre.
Kampionati shqiptar në fazë të tretë dhe të katërt bëhet jo vetëm më i egër, por edhe më i ndërlikuar për shumë faktorë. Prandaj, për më shumë arsye, ato që e duan me shpirt të mirën e Vllaznisë, duhet të vazhdojnë ta mbështesin edhe më shumë skuadrën e zemrës. Detyra e të gjithëve është të mundohen t’i heqin dhe jo t’i shtojnë presionet asaj. Gjithashtu, t’i përkrahin e japin guxim lojtarëve dhe stafit dhe jo t’i bëjnë të ndihen fajtorë apo të paaftë.
Kjo, nuk do të thotë që nuk ka vend për kritika. Përkundrazi, kur ato janë të sinqerta dhe bëhen me qëllim ndërtues, janë shumë të vlefeshme. Janë pa vend dhe të dëmshme vetëm kritikat me qëllim shkatërrues. Janë ato të parët, që bëjnë kritika me qëllim ndërtues, ato që të duan të mirën.
Miku i mirë njihet në ditë të veshtira, thotë një shprehje. Prandaj, kjo periudhë e vështirë që po kalon Vllaznia, sherben edhe për të hapur sytë dhe lexuar zemrën dhe mendjen e të gjithëve. Jetojmë në një botë të mbushur me falsitet dhe hipokrizi, ku të drejtët dhe të ndershmit gjejnë përherë e më vështirësi për të ecur përpara. Uroj me shpirt e zemër që Vllaznia të arrijë suksesin, jo për inat të armiqve, por për qejfin dhe dëshirën tonë që e duam me shpirt e me zemër.
Forca Vllaznia.