Pas Fushë Arrëzit, kandidatët e listës së PS- së për Qarkun e Shkodrës janë prezantuar edhe në qytetin e Shkodrës, para strukturave të tre ZAZ- ve të tij. Ka qenë vetë koordinatori politik i Qarkut Shkodër për PS- në Ilir Beqaj, ai që ka bërë të ditur takimin, duke e shoqëruar publikimin edhe me foto.
“Shqipëria e Ardhmja Jonë. Nën këtë moto bëmë prezantimin e skuadrës fituese të qarkut Shkodër edhe në tre ZAZ e qytetit të Shkodrës. Me Edona Bilali, Benet Beci, Paulin Sterkaj, Diana Murriqi, Jona Leqejza dhe Kabir Fishta.”, shkruan Ilir Beqaj.
Ndryshe nga takimi i Fushë Arrëzit ku kandidatët u prezantuan, por nuk u dokumentua se para kujt, duke publikuar foto vetëm të podiumit të mbledhjes, këtë herë Beqaj ka postuar edhe foto nga salla e selisë së PS- së në Shkodër.
Ajo që bie lehtësisht në sy, është mosrespektimi i masave antiCovid. Sot Komiteti i Ekspertëve la në fuqi masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë, ku nuk lejohen tubime as në salla e as jashtë tyre me më shumë se 10 persona. Megjithatë, ka nisur fushata elektorale dhe gjithçka lejohet…virusi tani “merr pushimet”. /ShkodraWeb Media/