Kryeministri Edi Rama ka nisur ditën sot me publikimin e një video prezantimi të Edona Bilalit, kryesueses së listës së PS- së në Qarkun e Shkodrës për zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Rama uron thjeshtë “Mirëmëngjes”, ndërsa Bilali përcjell mesazhin e saj. Fjalët e kryesueses së listës socialiste në fakt, përmbajnë vetëm premtime, ide se si mund të zhvillohet Shkodra etj. Shkurt, Edona Bilali duket se është në opozitë, e pakënaqur nga realiteti aktual dhe jep alternativa se si mund të ndryshohet situata.
Bilali thotë se Shkodra ndjehet e papërfaqësuar, prandaj mora përsipër të kandidoj. Zonja flet “badihava” siç themi në Shkodër ose thjesht ka recituar tekstin që i kanë venë përpara “mjeshtrat” e PR- it. Në vitin 2013, e majta PS+LSI+PDK mori 6 nga 11 mandatet në këtë qark (njeri prej të cilëve rezultoi “me hije në biografi”). Çfarë u bë për katër vite në Shkodër? Në zgjedhjet e vitit 2017, PS- ja mori katër mandate, dy prej deputetëve kishin poste të larta në ekzekutiv: Senida Mesi zëvendëskryeministre (sot jashtë listës së PS- së) dhe Ditmir Bushati ministër i jashtëm (edhe ai jashtë listës së kandidatëve sivjet). Çfarë bënë për Shkodrën, që të lënë të paktën një gjurmë?! Me 30 qershor 2019, për zgjedhjet vendore, e vetme në garë, PS- ja nuk arriti të marrë Bashkinë e Shkodrës. Kjo, për shkak të alternativës së përfaqësimit që u dha shkodranëve, histori që tashmë dihet.
Do të ishte e drejtë dhe e ndershme që Bilali fillimisht, të tregonte atë që ka bërë në 8 vite për Shkodrën qeverisja e PS- së, e cila kërkon nga shkodranët edhe 4 vite mandat. Video e stërpërdorura, “laj e thaj” nga propaganda të Shirokës me dron, nuk tregojnë asgjë përveç nëpërkëmbjen e Shkodrës këto 8 vite. Sigurisht që e ka thuajse të pamundur, aq më tepër kur vetë kryeministri e ka pranuar se është në borxh me Veriun, por do ta ndryshojë qasjen në mandatin etretë, nëse do ta marrë. Ky mesazh i parë i Bilalit, zbulon qartë edhe skemën e PS- së në këtë hartimin e kësaj liste, siç edhe në qarqet e tjera.
Përmes emrave që nuk kanë lidhje me qeverisjen e PS- së në këto 8 vite, tentohet nisja “nga e para” me një mandat të tretë, teksa për 8 vitet e kaluara, me investime të munguara e zhullume publike, shkodranët duhet ti shumëzojnë me zero. A duhet të japë llogari dikush me lënien në harresë, investimet e munguara nga qeverisja e majtë këto 8 vite? Më së paku, në video- prezantimin e saj, Edona Bilali duhej të kërkonte ndjesë për qasjen nëpërkëmbëse të qeverive Rama për Shkodrën e saj.
Në fakt, edhe kjo video, është përgatitur në dhomat e propagandës. Me shumë kujdes dhe për ti hedhur “hi syve” shkodranëve, duke tentuar një “shplarje truri” përmes premtimit të një “parajse” që nuk e realizuan dot për 8 vite, por premtojnë ta bëjnë me “shkop magjik” në mandatin e tretë, nëse shkodranët “do ta hanë sapunin për djathë”. Është edhe tallje me Shkodrën e shkodranët, të cilët sipas gjasave, do ti japin përgjigjen e merituar.
Edona por edhe të tjerët “të rinjë” në listën e PS- së, ata që janë vertetë bij e bija të Shkodrës, nuk duhet të lejojnë të bëhen fasadë apo “kukulla” të propagandës, që pas 8 viteve përdhosje me siglën e Rilindjes, u kthye tek logoja e socialistëve të 1991- it. “Më rrejte nji herë, është faji yt; më rrejte herën e dytë, sepse të mirëbesova; më rrejte edhe herën e tretë, atëherë budallai jam unë”, është një shprehje popullore por edhe nënteksti i video- mesazhit prezantues të Edona Bilalit, i shpërndarë nga kryeministri Rama në Facebook. Ne nuk duam të rreshtohemi në këtë kategori!/ShkodraWeb Media/