Politika shqiptare në këto 30 vite ka qënë dhe mbetet ” foltorja” e një fjalori tepër të rëndomtë dhe të papranueshëm për ne qytetarët e thjeshtë. Në parlament, takime elektorale, studio televizive, rrjete sociale dhe kudo në vend të projekteve, ideve, ballafaqimëve, ka patur dhe vazhdon të ketë fjalë tepër banale, ofendime, akuza, kundërakuza, dhunë verbale ndonjëherë dhe fizike.
Situatat e komumikimit përshkallëzohen dhe janë më negative kryesisht edhe në fushata elektorale nga të gjitha kampet politike. Çdo parti politike duhet të hartojë projekte dhe platforma elektorale, konkrete dhe të kuptueshme dhe t’ i shpalosë ato për komunitetin me një etikë komunikimi të pranueshme si në daljet dhe pasqyrimet publike, ashtu edhe në takimet më të mbyllura.
Epitetet, krahasimet, metaforat apo dhe të tjera figura letrare, nëse i keni mësuar që në arsimin bazë, le të përdoren për të pasuruar gjuhen e ëmbël shqipe, dhe jo për ta nëpërkëmbur, siç fatkeqësisht ka ndodhur dhe po ndodh.
Për të fituar besimin dhe simpatinë e elektoratit nuk është kusht themelor dhe as garë se kush përdor më shumë fjalë banale apo ofendon kundërshtarin fiton më shumë mbeshtetje, është tepër e gabuar, pasi humb më shumë terren.
Ne qytetarët e thjeshtë madhor mund të bëjmë një sy të verber dhe një vesh të shurdhër për të mos parë dhe dëgjuar fjalorin tuaj, dhunen tuaj qoftë verbale, psikologjike apo fizike, por ç’faj kanë fëmijët tanë të bëhen pjesë e përbaltjes me banalitete të gjuhës tonë, dhe në rast pyetjeje nga ana e tyre si do të mund t’ua shpjegojmë fjalorin tuaj?!
Ju të nderuar zonja dhe zotërinj keni miratuar ligje, dispozita ligjore, akte normative, rregullore etj, mes tyre dhe KODIN E ETIKES, dhe jeni të paret që nuk e respektoni atë si në foltore parlamenti, institucioni, takimëve të ndryshme elektorale, daljet mediatike etj.
Një pyetje që çdo qytetar/e do t’ju bënte:
Si ndjehen fëmijët dhe familjarët tuaj, kur ju dëgjojnë të flisni në atë mënyrë, pa moral dhe dinjitet?
Nëse do të merreni me pamjet fizike të njëri-tjetrit, prejardhjen krahinore, jetën personale dhe familjare, duke përdorur fjalorin tuaj “të pasur” me shprehje dhe frazeologji, siç vetëm ju i dini, nuk po tregoni as burrëri dhe mençuri, por mosrespekt dhe mosmirënjohje ndaj familjes tuaj qoftë biologjike dhe politike, ndaj mbështetësve tuaj, ndaj gjuhës së Frang Bardhit, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës e sa e sa të tjerëve nga Toskë e Gegë, që e pasuruan dhe na e lanë trashëgim ndër breza. /Nga Lindita KOKAJ/