Pa gjobës 50 milionëshe për Kavajën, lideri i opozitës shqiptare Lulzim Basha, me shumë mundësi do të marrë edhe një tjetër të ngjashme për takimin e sotëm në Lezhë. Pa më të voglin dyshim, në këto rreth 45 ditë që kanë mbetur deri me 25 prill, Basha me shumë mundësi do të futet në rekordet “Guinness”. Me ritmin e Policisë së Shtetit, me zellin për të gjobitur nga krahu i opozitës, me siguri gjobat do të kalojnë 2 milion dollarë amerikanë.
Që masat për parandalimin e pandemisë në vend po zbatohen rigorozisht, njëanshëm në dëm të opozitës, nuk ka dyshime. Akti normativ i qeverisë, me fuqinë e ligjit, parashikon gjoba për çdo tubim, brenda e jashtë, me mbi 10 persona. Një xhiro e thjeshtë në rrjete sociale, me foto e video të publikuara vetë me dëshirë, janë qindra raste që vetë eksponentë të kësaj mazhorance, nga kryeministri, ministrat, deputetët e kandidatët për deputetë, kryetarët e bashkive e të deleguarit e PS- së për fushtën, e shkelin. Megjithatë, gjobat “kërcasin” për eksponentë të opozitës, madje edhe për vetë liderin e opozitës.
Gjobat janë qesharake dhe jo proporcionale. Një deputeti apo ministri, do ti duheshin 3- 4 vjet për të paguar gjobën 50 milionëshe. Imagjinoni për rrogtarë shteti me paga më të vogla se ata. Po ashtu, çdo gjykatë në botë, edhe në këtë nahijen tonë, e rrëzon një gjobë të tillë jo proporcionale me “gabimin” apo shkeljen e bërë, por sidomos me aftësitë paguese të subjekteve. Arsyeja është e thjeshtë: Qeverisë mund ti teket që me akt normativ apo me ligj në Kuvend, të vendosë gjobë 1 milion euro, për shembull për ata që pinë duhan në ambjente të mbyllura. Kjo, meqë jo zyrtarisht, kryeministri Rama nuk është konsumator i duhanit. Të cilin në fakt, e konsumon në situata të caktuara, por duke u kujdesur të “mos lërë prova”.
Realisht, gjobat kanë një fuksion tjetër, më real dhe të konstatueshëm lehtë. Kërkojnë dekurajimin e opozitës, antarëve e mbështetësve të saj në prag të 25 prillit 2021. Në Kavajë, siç edhe në Lezhë e kudo tjetër, populli opozitar nuk ka nevojë të thirret të dalë të presë liderin e vet. Ajo është spontane dhe të gjithë ata që dalin në atë që mund të konsiderohet tubim, marrin përsipër edhe rrezikun e infektivimit nga virusi. Mos vallë kjo mazhorancë, ky kryeministër presin që ata vetë të livadhisin të qetë për fushatë elektorale dhe opozitë si shohë nga rrjetet sociale apo mediat?!
Daljet e kryeministrit, ministrave e deputetëve të tij, justifikohen nga pritja e vaksinave, punimet për termetin, investimet qeveritare që normalisht, të gjitha janë në funskion të fushatës. Po opozita, çfarë duhet të bëjë? Ajo nuk ka “inspektime punimesh”, “pritje vaksinash”, “dorëzim çelësa shtëpijash”, “aeroporte”, “porte” për të justifikuar takimet me qytetarët, mbështetësit e saj. Të gjitha daljet e kryeministrit, janë në shkelje të aktit normativ të vetë qeverisë së tij. Duke nisur nga truprojat, policët civilë e me uniformë që i sigurojnë jetën, zyrtarët që e shoqërojnë hap pas hapi, janë shumë më tepër se 10 persona në pak metër katror që lejon akti i tij normativ.
Nëse ky kryeministër dëshiron të jetë “fair”, ai i pari duhet të zbatojë aktin normativ të qeverisë. Të mos livadhisë pa teklif në katër anët e vendit, të mos qendrojë “live” në këto dalje non spot në media tradicionale e online, të japë i pari shembullin e respektimit të masave kundër pandemisë. Vetëm më pas, mund të kërkojë të njëjtën gjë nga opozita dhe liderët e saj. Për ndryshe, opozita nuk ka asnjë shans ti bindet, qytetarët po ashtu. Edhe nëse gjoba do të bëhet 500 milion, 5 miliardë lekë. Si thuhet në një nga skeçet e njohura të humorit shkodran, do ti marrë ato para në varr. Jo në kuptimin e parë të fjalës por atë që lidhet me 25 prillin 2021. Një stacion vendimtar për Ramën e shqiptarët. /Shënim i ShkodraWeb Media/