Pashë deklaratën e Znj. Bozo mbi periudhën e diktaturës. Ndjesi të përziera ma kapluan zemrën. Shumëkush mund të harrojë e të shkelë me këmbë atë çfarë kalon në moshë madhore, por një fëmijë i vogël si ç’isha unë në atë kohë, i mbart përherë me vete dhimbjen, vuajtjet, zemërimin dhe pafuqinë që e shoqëruan përgjatë atyre viteve.
Unë jam vajzë kulaku, Elonë. Nuk jam vajzë e vetëm një kulaku. Jam vajzë e dy kulakëve. Kulakë nga nëna e kulakë nga babai. E dije ti Elonë, se kulakëve nuk u jepnin nuse familjet ‘normale’, por ata ishin të detyruar të martoheshin vetëm brenda llojit?
Unë vonë e pata marrë vesh këtë. Atëherë kur nisa të kuptoja, kur nisa ta prekja varfërinë në skajet e saj.
Mbaj mend që në shtëpinë tonë rrallë kishte bukë gruri, edhe pse jetoja në fshat dhe gruri na rrethonte ngado. Buka e misrit ishte refren i përhershëm. Atë e lyenim me ujë dhe sheqer. Gëzonim me aq, edhe pse vite më parë kishim qenë ndër familjet më të pasura. Çdo gjë që kishim, na e patën marrë ATA! Mallin, gjënë e gjallë, deri edhe djathin e freskët në vozga.
Gjithçka e jona qe shtetëzuar dhe ne tashmë i gëzoheshim bukës së misrit me sheqer.
Kjo s’qe e gjitha. Nëna ime më thoshte shpesh, se im atë e porosiste çdo natë që të kujdesej për fëmijët, sepse në mos një natë, në tjetrën do të vinin ta merrnin. Sërish ATA! Ata që janë në krye edhe sot, e që i kanë duart të ndotura me gjak njerëzish e me lëngata zemrash.
Të deklarosh se ka qenë më mirë atëherë, do të thotë të përdhosësh nga e para dinjitetin e njerëzve që e kanë ndjerë dhimbjen gjer në asht. Do të thotë të shkelësh me këmbë dhimbjen e tyre e t’ua trazosh sërish plagën që janë përpjekur ta shërojnë për kaq kohë. /Nga Klodiana SMAJLAJ, vajzë e dy kulakëve, siç konsideroheshin nën regjimin komunist familjet e pasura në fshat/