Çështja e Zef Hilës i cili u shkarkua nga kryeministri Edi Rama nga posti i kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës pas djegies së KZAZ-së numër 6 në Bushat, në zgjedhjet lokale të 2019, do të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese më 6 prill. Raportohet se për shkak të situatës dhe rregullave në fuqi prej situatës së COVID-19, zhvillimi i seancës plenare do të kryhet më 6 prill pa praninë e publikut.
“06 Prill, 2021. Kërkues Zef Hila, Seancë Plenare. Për shkak të situatës dhe rregullave në fuqi të shkaktuara nga Covid-19, zhvillimi i seancës plenare do të kryhet pa praninë e publikut. Subjekti i interesuar Këshilli Ministrave, Objekti: Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën, i vendimit të Këshillit të Ministrave nr.445, datë 28.06.2019 “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Vau i Dejës, z. Zef Hila”Ora10:00”, thuhet në njoftim.
Atëherë disa persona i vunë flakën me molotov KZAZ-së. KZAZ-ja është përfshirë nga flakët duke shkatërruar materialet e votimit, e për pasojë la të lënduar tre efektivë të Policisë së Shtetit.
Në artë kohë, lidhur me vendimin e shkarkimit të Hilës nga detyra, Rama më herët u shpreh se Hila jo vetëm do shkarkohej por edhe do të ndiqej penalisht, duke paralajmëruar se kush do që do ndjekë shembullin e tij do të ketë të njëjtin fat dhe të vihet përpara drejtësisë.
Ka qenë ish ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj që kishte propozuar shkarkimin e Hilës, pas ngjarjeve të ndodhura në KZAZ nr 6 në Bushat ku u dogjën materialet zgjedhore dhe mbetën të lënduar tre efektivë policie. Vetë Hila deklaroi në atë kohë se nuk ka pasur asnjë lidhje me organizimin e protestës. Ai paralajmëroi ankimim në Gjykatën Kushtetuese, e cila tashmë do të vendosë me 6 prill për vendimin e qeverisë Rama kundër Zef Hilës.