Lulzim Basha po ia del në atë që mund të konsiderohej e pabesueshme deri pak muaj më parë. Ndërsa rezultati i zgjedhjeve politike do të mësohet pas 25 prillit 2021, një tjetër rezultat është tanimë evident: Lulzim Basha po fiton betejën në fushën e preferuar të Edi Ramës: Komunikimin me publikun!
Në mënyrë të pashpjegueshme, me gjasë në mungesë të një alternative apo programi të përpunuar e detajuar, Edi Rama ka kaluar thjeshtë në sulme, denigrim dhe bullizim të kundërshtarëve politikë. Edhe platformat që teorikisht duhet të jenë për shpalosjen e programeve për mandatin e tretë që u kërkon shqiptarëve, Edi Rama i kthen në skena bullizimi të kundërshtarëve, madje edhe grave e vajzave. Mesa duket kryeministri e ka harruar se rreth gjysma e tyre që ai u kërkon votën për të qendruar në pushtet, janë pikërisht gra e vajza.
Edi Rama vjen në qytetin e Shkodrës dhe premton 24 orë ujë të pijshëm brenda mandatit të tretë. Ata që jetojnë në këtë qytet, e dinë se uji i pijshëm nuk është problem, përjashtro rastet kur ai shpërdorohet në periudhën e verës. Edhe pse “nuk e ka vënë ujin në zjarr” për 8 vite për Shkodrën, këtë informacion duhej ta kishte kryeministri i vendit. Ndërsa, për ish- komunat që iu bashkuan qytetit në 2015- ën, zgjidhja provizore janë puset që bashkia ka mundësuar për të vijuar me ndërtimin e ujësjellësëve aty ku ka nevojë. Por sigurisht, duhen shumë para, të cilat qeverisja vendore vështirë ti disponojë për të gjithë territorin. E deklaratat e Ramës, rreth 48 orë pas vizitës së Bashës në Shkodër, synonin eklipsimin e saj. Në fakt, bënë efektin “boomerang”, të paktën me argumentin që kryeministri artikuloi.
Edhe akuzat e stërpërsëritura e deri të lodhshme të mungesës së bashkëpunimit, sipas tij, të qeverisjes vendore në Shkodër, nuk “ngjisin” më si argument. Qeveria qendrore, ka të gjitha mekanizmat e duhura të investojë edhe brenda territoreve të administruara nga qeverisja vendore, edhe nëse kjo e fundit nuk ka dëshirë. Mirëpo Rama jo vetëm harxhon energji për një kauzë të humbur, por tregon rënie të inteligjencës komunikative në një qytet, të cilin nuk e merr dot, edhe kur nuk ka kandidatë në “fushë”, siç ndodhi në 2019- ën.
Ky është vetëm një rast për të treguar se kryeministri Rama nuk është i informuar ose minimalisht, nuk është i kthjellët në momentin që artikulon. Është një “gjendje e re” e Edi Ramës, i cili po humbet terren pikërisht në pikën e tij më të fortë, në shpërfaqjen përballë qytetarëve.
Edi Rama po përpiqet me të gjitha forcat ta përfshijë Lulzim Bashën në skemën e tij, atë të largimit nga thelbi i fushatës- prezantimi i alternativave qeverisëse. Kryeministri tenton me të gjitha mënyrat, personalisht por edhe përmes “mashave”, të fusë kandidatin për kryeministër në linjën e tij të qasjes ndaj qytetarëve. Deri tani, Basha ka qenë i prerë, i vendosur për të vijuar me strategjinë e tij. Kontakton nga afër me qytetarët, u flet për alternativën e tij dhe të PD- së, për keq qeverisjen e vendit në këto 8 vite dhe nuk futet në retorika e polemika boshe.
Edi Rama kërkon një përballje “kokë më kokë” me Lulzim Bashën. Lideri i opozitës ka zgjedhur ti vendosë përballë qytetarët, shqetësimet e tyre, problemet që ata evidentojnë. E kështu, nga qyteti në qytet, Basha po ia del të demontojë Ramën në pikën e tij, të cilën ia njohin të gjithë, komunikimin me qytetarët. Çuditërisht, këto kohë nuk ka as “batuta”, asa me gazetarët dhe as me ata që ka në krah. Është një metamorfozë e dukshme e kryeministrit të vendit, i cili arrin deri në atë pikë sa vendose veten para vetes, për ti mbushur mendjen se “nuk do të ikë, sepse nuk ka mabruar akoma punë”. E në fakt, kjo është gafë e madhe, që në një vend me ndjeshmëri të lartë të zgjedhësve, mund ti kushtonte deri edhe humbjen e zgjedhjeve. Megjithatë, edhe në Shqipëri, është e lehtë të kuptohet, sepse fushatat respektive dallohen lehtë.
Lulzim Basha, 8 vite në opozitë, më shumë se dy vite jashtë parlamentit dhe pa asnjë deputet në fuqi, prej rreth 1 viti e gjysmë edhe pa bashkitë që i mori “30 qershori” i Edi Ramës, vazhdon të tërheqë përherë e më shumë shqiptarë rreth vetes. E natyrisht, nuk janë thjesht dhe vetëm antarë e simpatizantë të PD- së e kjo kuptohet qartë. Qoftë në Elbasan, qoftë edhe në Gjirokastër.
Nuk dimë të themi që sot nëse zgjedhjet do ti fitojë Edi Rama apo Lulzim Basha. Ajo që mund të konstatohet deri tani, kur mbeten edhe 5 ditë që fushata të startojë zyrtarisht, është fryma që ndjehet rotull Lulzim Bashës, pa patur asnjë lloj pushteti për “të joshur” qytetarët. Ndryshe nga kryeministri Rama, i cili po çalon dokshëm në pjesën që deri sot i konsiderohej si pika e fortë: PR- i! /Shënim i ShkodraWeb Media/