Kryetari i opozitës, Lulzim Basha disa ditë nga çelja zyrtare e zgjedhjeve ka publikuar librin e tij të parë. Libri i kryetarit të Partisë Demokratike titullohet “Misioni im” është hedhur në treg nga shtëpia botuese “Pegasus”. Këtë botim kreu i demokratëve e ka paraqitur për lexuesit si një letër të hapur për shqiptarët!
Në libret trajtohen dhjetë kapituj të ndryshëm dhe ky botim ka në total 100 faqe. Kreu i PD-së ka trajtuar përjetimet e tij “politika për mua”, “Partia Demokratike dje, sot dhe nesër”, “Partia më e bukur e Lindjes”, duke vijuar me “Rithemelimin e opozitarizmit” etj
Në faqet e këtij libri, Basha publikon refleksionet dhe kur ka dëgjuar fshehurazi në vitin 1984 për herë të parë “Zërin e Amerikës” së bashku më dajën e tij.
Kujtojmë se edhe kryeministri Edi Rama ka hedhur në treg dy libra, për të cilët vazhdon të deklarojë fitime në deklarimin e pasurisë vjetore.
Rama ka publikuar në fillim librin “Refleksione” me bashkautor Ardian Klosin, ndërkohë që libri i dytë është “Kurbani”, u publikua pasi kreu i PS-së humbi garën me Lulzim Bashën për Bashkinë e Tiranës.
KAPTITULLI
POLITIKA PËR MUA
(Basha rrëfen episode nga viti 1984, kur ishte 10 vjeç dhe daja e ftoi të dëgjonin fshehurazi “Zërin e Amerikës”)
Kur kthehem pas në kohë për të gjetur ngjarjen apo momentin kur kam folur apo kam menduar për herë të parë për politikën, ndal në një mbrëmje të vitit 1984, kur daja im më ftoi të dëgjonim fshehur “Zërin e Amerikës”. Ishin lajmet e orës 18:00. “Qeveria e Tiranës…”, u dëgjua zëri kumbues i Elez Biberajt, dhe pastaj vijoi një edicion i plotë lajmesh në një botë që as e njihja dhe as e përfytyroja, e cila më dilte plotësisht jashtë kornizave të ditës sime. Isha 10 vjeç.
Këtë emision e pasuan biseda zëulta me dajën tim dhe rrethin familjar në kushte të besueshme, biseda të cilat formësuan tek unë një adoleshent në fund të viteve 80-të, idetë e para për politikën. Megjithëse isha fare i vogël, dy gjëra i mbaj mend akoma edhe sot. E para, atmosfera familjare e cila ishte tejet e kujdesshme që këto biseda të ishin sekrete dhe mos të dilnin jashtë mureve të familjes, a thua se ajo që po flisnin ishte krim.
Dhe e dyta, kuptova se sa e rëndësishme ishte politika për familjen tonë dhe për jetën e njerëzve në përgjithësi.
Është e qartë se formimi im politik, koncepti që kam për vlerat në të cilat besoj, janë ato të së djathtës. Ishte një formim pothuajse i përcaktuar. Në kushtet e një familje me gjyshërit të ardhur nga Kosova, ku gjithnjë kishte një simpati për Perëndimin, edhe qasja ime politike do të ndikohej nga kultura dhe vlerat e trashëguara nga familja.
Kulturë, e cila çmonte dhe besonte te liria, fjala e lirë, dashuria për atdheun dhe besimi në Zot. Jo vetëm që i besonte, por, edhe pse në kushte shtrëngimi, mundej që t’i ruante të gjalla çdo ditë dhe t’i kultivonte ndër breza. Si sot më kujtohet gjyshja që agjëronte dhe falej fshehurazi. Fryt i kësaj tradite janë vlerat që më kanë shoqëruar gjithë jetën dhe kanë formuar personin tim.