Kopliku i Sipërm ishte ndalesa e radhës e kandidatit për deputet të PS- së Paulin Sterkaj. I shoqëruar nga kryebashkiaku i Malësisë së Madhe Tonin Marina, ai ka takuar dhe bashkëbiseduar me banorët. Sterkaj ka kërkuar mbështetjen me votë, për të përfunduar projektet e nisura në Koplikun e Sipërm në rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike, asfaltimin e të gjitha rrugëve lidhëse të lagjeve me rrugën nacionale Koplik- Dedaj, rritjen e mbështetjes për fermerët si dhe përfundimin e ujësjellësit që po bëhet realitet vetëm vitet e fundit.
“Kërkoj votat tuaja që në ndjehem i fortë në Kuvendin e ri të Shqipërisë, të kërkoj fonde për projekte të reja për Koplikun dhe gjithë trevën e Malësisë së Madhe”, ka thënë kandidati Sterkaj. Ai ka shtuar se nuk kemi bërë deri më sot dhe nuk do të bëjmë kurrë luftë politike dhe fetare në Malësi të Madhe. “Asnjë presion, me askënd për votën, por me durim dhe qetësi t’ ju shpjegohet ndryshimi që ka ndodhur dhe projektet që do të bëhen në katër vitet që vijnë”, ka porositur deputeti aktual Paulin Sterkaj.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Tonin Marina ka folur për projektet e përfunduara, në zbatim dhe ato të përgatitura për Koplikun e Sipërm, duke garantuar se vëmendja në investime në këtë zonë, do të vazhdojë.