KQZ nuk e përjashtoi Tom Doshin nga kandidimi për zgjedhjet e 25 prillit, pavarësisht thirrjeve të SHBA-së. Ilirjan Celibashi “topin” ia kaloi prokurorisë për verifikim. Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim në intervistën për gazetaren e ABC, Esiona Konomi u shpreh se fakti që KQZ nuk e përjashtoi nga gara nuk do të thotë se është i pafajshëm dhe tashmë mesazhin e kishte për prokurorinë
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të qarta sërish. Kjo nuk është vetëm nga një person apo një individ në qeverinë e shteteve të Bashkuara, por është Sekretari i Shteteve të Bashkuara, i cili e ka përcaktuar personalisht një individ i cili nuk ka zgjedhur të vazhdojë të përfaqësojë popullin shqiptar në Kuvend.
Mendoj që KQZ ka përgjegjësi të shqyrtojë të gjitha rekordet në mënyrë që të sigurohet që kandidatët të kualifikohen. Në këtë rast ai nuk është skualifikuar, e kjo nuk do të thotë që ai është i pafajshëm.
Por thjesht do të thotë që sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka nevojë të reformohet. Dhe ky është nënkuptimi i saj. E dyta, cështja, së bashku me 11 kandidatë të tjerë i është dërguar prokurorisë dhe ne vërtetë presim që prokurorët të bëjnë punën e tyre.
Por në fund, nuk ju përket Shteteve të Bashkuara që të vendosin se kush duhet të jetë në parlament. Nuk janë Shtetet e Bashkuara se kush do të jetë aty, por janë votuesit shqiptarë. Dhe votuesit shqiptarë duhet të marrin vendimin këtu dhe duhet ta bëjnë të qartë pozicionimin e tyre”, tha Yuri Kim.
E ndërsa vlerësoi kërkesën e PD-së drejtuar KQZ për largimin nga lista të Tom Doshit, të njëjtën gjë, Kim dëshiron edhe nga PS.
“Ju më bëtë pyetje mbi personin të cilit i është bërë përcaktimi. Dua të them që është një gjë shumë e mirë që Partia Demokratike ka qenë e qartë në dënimin e këtij personi duke kërkuar që ky person të largohet nga lista e kandidatëve për deputetë.
Dëshiroj të shoh që edhe Partia Socialiste apo të tjerët të jenë po kaq të qartë. Eshte krijuar pak konfuzion por mendoj që është koha e duhur për të qartësuar cdo konfuzion dhe për të qenë absolutisht të qartë se ku qëndrojmë të gjithë”, theksoi Kim.