Deklarata e sponsorit Alban Xhaferi pasditen e sotme ku thoshte se Vllaznia ishte shumë pranë marrëveshjes me tatimet për mbylljen e problemit të borxhit dhe licensimin e klubit për pjesmarrje në Kupat e Europës, është pritur jashtëzakonisht mirë nga tifozët shkodranë.
Por ndërkohë mësohet se KF Vllaznia ditën e djeshme i ka kërkuar zyrtarisht arritjen e një marrëveshje për shlyrjen e borxheve me këste.
Në shkresën me numër protokolli 185 të datës 23 mars 2021, KF Vllaznia i ka bërë një kërkesë zyrtare Drejtorisë Rajonale Tatimore Shkodër duke iu drejtuar drejtorit të saj, z. Agron Hasanaj, për lidhjen e një akt- marrëveshje për shlyerje detyrimesh me këste.
Në këtë shkresë thuhet se “Bashkia Shkodër është e gatshme që të paguajë, në bazë të referencës ligjore, shumën e barabartë me 20 % të detyrimeve totale dhe këstet mujore të përllogaritura çdo muaj me qëllim shlyerjen e plotës të detyrimeve tatimore.
Bashkangjitur me kërkesën, Bashkia Shkodër dhe KF Vllaznia kanë dorëzuar legjislacionin përkatës të cilit i janë referuar ato në kërkesën e tyre për shlyerjen e borxhit me këste.
Por nga ana tjetër, mësohet se po sot KF Vllaznia ka dorëzuar në Drejtorinë Rajonale Tatimore Shkodër edhe një shkresë tjetër, atë me numër protokolli 186 ku i bëjnë me dije asaj se klubi është në proces gjyqësor me organet tatimore, pikërisht për këtë çështje.
Fillimisht, kërkesa e saj u pat drejtuar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër për shfuqizimin e plotë të raport- kontrollit përfundimtar të Drejtorisë Rajonale Tatimore Shkodër të datës 13.12.2018.
Por kjo Gjykatë më 23.05.2018 vendosi nxjerrjen jashtë juridiksionit gjyqësor të kësaj çështje dhe ankimimin në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Edhe kjo procedurë është kryer dhe ky i fundit ka vendosur më 15.06.2020 kthimin e çështjes për rishqyrtim pranë Gjykatës së Shkallës së parë Shkodër.
KF Vllaznia ka dorëzuar në organet tatimore edhe vendimin nr.333, datë 24.03.2021 që çështja e mësipër përshkruar ndodhet për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër. Për këto arsye, ka kërkuar që ky informacion t’i vihet në dispozicion Drejtorisë Rajonale Tatimore Shkodër, për chech-in në sistem dhe pezullimin e masave shtrënguese për detyrimet tatimore të KF Vllaznia sh.a.
Tashmë pritet vendimi i kësaj të fundit dhe pranimi i marrëveshjes për shlyerjen me këste të detyrimeve tatimore të cilat pastaj do t’i hapin rrugë liçensimit të KF Vllaznia për pjesmarrjen e saj në Kupat e Europës.
Më poshtë keni edhe shkresat përkatëse që KF Vllaznia i ka dërguar Drejtorit Rajonale Tatimore Shkodër (klikoni linqet për ti lexuar të plotë):