Qeveria e ka shpallur ditë zie kombëtare 29 Marsin në nder të deputetit socialist, ish-kryeministrit dhe politikanit të njohur Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare pasi e humbi betejën me koronavirusin.
Qeveria vendosi:
Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e hënë, datë 29 mars 2021, në nderim të të ndjerit Bashkim Fino, Kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe deputet në një sërë legjislaturash.
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri në gjysmë shtize. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e hënë, datë 29 mars 2021, ora 12:00 deri në orën 16:00, në mjediset e Pallatit të Kongreseve.
Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KUSH ESHTE BASHKIM FINO
Prej vitit 1997 Fino ka qenë anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.
Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore.
Nga vitit 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.
Ndërsa në periudhën 2004, Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.