Vllaznia po përgatit me kujdes sfidën e rëndësishme të së shtunës me Partizanin në “Loro Boriçi”. Është një derbi i futbollit shqiptar, sidomos këtë sezon, kur dy ekipet janë rivale direkte për titullin kampion. Përveç stërvitjes, skemave të ndryshme taktike, ka mjaft rëndësi edhe pjesa morale, ana psikologjike.
Mesa duket, për këtë të fundit ka menduar sponsori Alban Xhaferi. Ai ka publikuar një foto ku shihet bashkë me futbollistët, duke bashkëbiseduar në një lokal me Amarildo Belishën. Sigurisht e ka një arsye kjo kafe dhe e sqaron më së miri vetë sponsori i Vllaznisë ma pak rreshta:
“Eshte gjithmone bukur kur tradita pasohet tek ato te cilet kane pergjegjesine per ti dhane Vllaznise vendin qe i takon 🏆 , me Amarildo Belishen ish-lojtarin e Vllaznise fitues i kupes dhe kampionatit biseduam me djemt kuqeblu per ti motivuar ne rrugen e nisur drejt suksesit❤️💙”, shkruan Xhaferi.
Mesa duket, pikërisht grintën që shfaqnin në fushë brezi i Belishës dhe të tjerëve para tyre, kërkon të shohë në fushë të shtunën ndaj Partizanit edhe Alban Xhaferi tek futbollistët aktualë. Shpresojmë e urojmë që kjo kafe të sherbejë edhe për të rikthyer sigurinë e Vllaznisë në vrapimin drejt Europës së futbollit, pse jo duke ëndërruar edhe trofe me të cilat sot Belisha krenohet. /ShkodraWeb Media/