Fatmirësisht, Kim Jong- u ynë, akoma nuk na ka akoma katandisur në derexhenë e Koresë së Veriut që të besojmë se Shqipëria mundi 7- 0 Brazilin duke u sgpallur kampion bote në futboll. Me këtë ritëm, duket se është në rrugë të mbarë në ndjekje të shembullit të diktatorit koreanoverior apo edhe të Erdoganit, babait të tij shpirtëror e mbështetësit të paepur në realizimin e qëllimeve të tij.
Nuk quhen më as rrëfenja e as përralla, mufkat që ka nisur të nxjerrë nga goja Kim Jong- u ynë, apo më mirë në këtë rast, Borati shqiptar. Ka nisur të shpërndajë barcaleta, por nga ato që më shumë të nxisin të qash se të qeshësh.
Psikoza paranojake e armiqve, të brendshëm e të jashtëm; grupeve armiqësore në ekonomi, art e sport; sabotimi i Traktatit të Varshavës, pardon, i NATO-s; cenimi i interesave dhe sigurisë kombëtare; grushte shteti etj., duket e shoqërojnë edhe pas 30 viteve ndarje nga sistemi i etërve bilogjikë e ideologjikë.
Një grevë e kontrollorëve të ajrit apo të kullës në aeroportin e Rinasit, i shfrenoi fantazinë jo vetëm Boratit tonë, por edhe matrioshkave që mbulohen nga lartgjatësia e shtatit të tij. U pezulluan fluturime, mund të pezullohen edhe të tjera, siç ndodh rëndom në shumë vende përendimore e demokratike, madje edhe në Italinë fqinje. Po matanë Adriatikut, askush nuk sheh ëndrra me komplote dhe grushte shteti. Sa herë Autoriteti i Transportit Civil Shqiptar, ka dhënë njoftime për pezullime fluturimesh për shkak grevash? Shumë, dhe mund ti gjeni edhe tani në faqen e tij zyrtare në internet.
Por ndryshe nga vendet antare të një blloku ku ne aspirojmë tash 30 vjet të bëhemi pjesë, në këtë Arnautistanin tonë, pasi grevistët lënë punën duke kërkuar plotësim të kërkesave të tyre sindikaliste (qofshin të tepruara, të gabuara), Rinasi merret nën kontroll nga ushtria e FNSH- ja, shoqërohen në polici të paktën 7 kontrollorë të ajrit. A ju kujtohen ngjarjen në Mianmar, Birmania e dikurshme? Janë të freskëta, madje janë në zhvillim akoma, ku shtetet përendimore kanë vendosur edhe sanksione ndaj regjimit ushtarak që rrëzoi atë civil të zgjedhur nga qytetarët.
Gjithansej, po flitet për paga sheikësh (në standartin e rrogave të shqiptarëve, gjithmonë) të këtyre kontrollorëve të ajrit. Po flitet për emra e mbiemra që lidhen me personazhe VIP të politikës e jo vetëm. Po publikohen të ardhura në formën e rrogës vjetore të ish- drejtores, sot ministre Balluku në rendin e 77 milion lekëve të vjetra. Por nga ana tjetër, po flitet edhe për rëndësinë, vështirësinë që ka kjo punë. Po ashtu, homologët e kontrollorëve të ajrit në Europë, SHBA e Kanada, paguhen në rendin e 70 mijë- 142 mijë dollarë në vit. Për të zhdavaritur sadopak mjegullnajën, kontrollorët e ajrit janë të punësuar nga një SHA me kapital 100% shtetëror. Është një bord administrimi që vendos për rrogat e kushtet e tjera të punës. Nuk duhet çuditur për nivelin e pagave, kujtohuni pak për Bankën e Shqipërisë, KESH apo shoqëri të tjera aksionare me kapital shtetëror.
Me hir apo pahir, para apo pas 25 prillit, edhe kjo kontradiktë, me siguri 100% do të zgjidhet. Ajo që po lihet në harresë, është arsyeja që “detyroi” kontrollorët e ajrit të plasnin në grevë më pak se dy javë nga zgjedhjet dhe në mesin e një zhvillimi jo pak të rëndësishëm për vendin, siç ishte 110 milionshi që Beccheti i “Agon Channel” i mori me gjyq qeverisë shqiptare.
E në fund, një sugjerim. Të gjitha drejtoritë, në nivel qendror, rajonal e vendor, do të ishte mirë të ktheheshin në SHA- Shoqëri Aksionare. Pse të kenë rroga milionere vetëm kontrollorët e ajrit? Pse të mos kenë edhe arsimtarët, mjekët, administrata tjetër shtetërore në përgjithësi?! /Nga Blerti DELIJA/