Në një reagim ndaj kryeministrit Rama, presidenti Ilir Meta e paralajmëron të mos e detyrojë të futet në garën zgjedhore pasi përndryshe PS do të mbetet pa grup parlamentar.
Kreu i shtetit ka publikuar në rrjetet sociale dy foto që thotë se ia ka dërguar këshilltari i CDU-së Martin Henze dhe janë shkrepur në qytetin e Gjirokastrës.
Bëhet fjalë për foto të banderolave elektorale të PS-së, ku kreu i shtetit shfaqet në krah Bashës, Kryemadhit, e Berishës, dhe një kllouni me mbishkrimin: “Këta nuk meritojnë më asnjë shans”.
“Mos më detyroni të hyj vërtet pasi do të mbeteni pa grup parlamentar. Pale po mora edhe Doktorin e Madh, nuk ka spital, që ju bën derman!”, shkruan ndër të tjera Meta.
Reagimi i Metës
Dy foto të pabesueshme nga Gjirokastra, që m’i nisi miku i shtrenjtë i demokracisë shqiptare, Martin Henze.
Asnjë shqetësim për psikopatinë tuaj ZOTI “RILINDAS”, por nëse vërtet e besoni, që unë jam në garë për 25 Prillin, mos më detyroni të hyj vërtet pasi do të mbeteni pa grup parlamentar.
Pale po mora edhe Doktorin e Madh, nuk ka spital, që ju bën derman! Ndaj respektoni Kodin Zgjedhor dhe boll e tepruat me shkelje se i nxitë faqen Shqipërisë para botës!