Në sherrin me mjete prerëse dhe sende të forta që u regjistrua gjatë natës që lamë pas në zonën e Saukut në Tiranë, rezulton të jetë përfshirë edhe kandidati i LSI për deputet në Qarkun e Tiranës.
Klodian Doka është renditur i 32-ti në listën e kandidatëve për deputetë. Ai bashkë me vëllezërit e tij janë konfliktuar me tre persona të tjera për arsye ende të panjohura.
Policia sqaron se kandidati është dëmtuar lehtë me sende të forta, ndërsa ka mbetur i lënduar me mjete prerëse vëllai i tij, shtetasi Oltjan Doka.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 17.04.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim E. S., 26 vjeç, A. M., 25 vjeç dhe S. K., 34 vjeç, pasi në rrugën “Selim Braja” në Sauk të Vjetër, janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasit K. D., 30 vjeç, E. D., 23 vjeç dhe R. D., 27 vjeç (vëllezër). Si pasojë e konfliktit janë dëmtuar lehtë me sende të forta shtetasit K. D dhe E. D, si dhe është dëmtuar me mjet prerës shtetasi R. D, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën” njoftoi policia.
Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë shtetasi B. H., 36 vjeç, pasi ka kanosur shtetasin K. D. Ndërkohë po punohet për kapjen dhe shoqërimin e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.