Ilir Kepa, një nga futbollistët më të spikatur të Vllaznisë por edhe Kombëtares, feston sot ditëlindjen. I lindur në Shkodër me 21 prill 1966, Kepa sot është një 55 vjeçar, i cili përfaqëson sportistin këmbëngulës, punëtor por edhe ëndërrimtar për të arritur majat më të larta të futbollit. Është “produkt” i shkollës fantastike të futbollit shkodran, por edhe i emrave të mëdhenj që lanë gjurmë në historinë e “topekëmbës”.
Me 30 mars 1991, ai u “arratis” siç thuhej për kohën, bashkë me 6 futbollistë të Kombëtares, nga një hotel i Parisit, menjëherë pas ndeshjes me Fancën për kualifikueset e Kampionatit Europian.
Kepa u inkuadrua në futbollin në Belgjikë, ku luajti për tre sezone me RDW Molembeek. Ai është aktivizuar më pas në me ekipin Louhans-Cuiseaux për tu rikthyer sërish në Belgjikë, ku mbylli karrierën me Olympic Charleroi, duke luajtur 51 ndeshje. Pasi “vari këpucët në gozhdë”, Ilir Kepa ishte edhe trajner futbolli për disa vite.
Debutimi i tij me Kombëtaren ishte në shtator 1988, në një ndeshje miqësore me Rumaninë, ku u aktivizua gjithsej 7 herë me kuqezintjë duke shënuar 1 gol. Ilir Kepa ishte një lojtar shumë teknik, perdorim të mirë të topit dhe fantazist e krijues në fushën e blertë. Me të gjitha këto cilësi, Kepa rreshtohet në emrat më të spikatur të klubit kuqeblu ndër vite. Në këtë ditë të rëndësishme, ShkodraWeb i uron edhe 100 vite të tjera virtuozit të fushës së blertë.