Shkruan në Facebook Majlinda Angoni, Prefekte e Qarkut të Shkodrës: Të nderuar bashkëqytetarë të Qarkut Shkodër,
Kur na ndajnë vetëm pak orë nga mbajtja e Zgjedhjeve Parlamentare të 25 Prillit 2021, në Shqipëri, bëj thirrje të gjithë individëve mbështetës të të gjithë subjekteve politike të Qarku Shkodër t’i drejtohen kutive të votimit duke ruajtur qetësinë, të shmangin situatat konfliktuale dhe të evitojnë përdorimin e panevojshëm të gjuhës së urrejtes dhe dhunës.
Ne, si qytetar të denjë të Qarku Shkodër jemi të ndërgjegjshëm mbi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, të pacënueshëm, si provë për garantimin e integritetit, vlerave të vërteta të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Të dielën, 25 Prill, detyra jonë qytetare është të zbatojmë masat dhe protokollet antiCovid-19, të jemi bashkëpunues me njëri-tjetrin dhe të përgjegjshëm, për të ushtruar të lirë të drejtën e votës.
Shqipëria është e ardhmja jonë dhe e ardhmja është dhe duhet të jetë në duart tona, sepse fati i saj kalon përmes secilit prej nesh.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në rolin e koordinatorit zgjedhor ka mbështetur dhe bashkëpunuar me autoritetet zgjedhore dhe institucionet e tjera shtetërore duke shkëmbyer informacion të vazhdueshëm për të garantuar zbatimin me përpikmëri të legjislacionit dhe praktikave të parashikuara në Kodin Zgjedhor.