Në Shkodër por besoj edhe në të gjithë vendin, nuk besoj se ka patur shqiptarë që nuk kanë besuar se voa do të shitblihej sërish. Fenomeni që shpërtheu fuqishëm në 2005- ën e këtej, vështirë të zhduket. Sidomos kur pushteti i radhës e sheh si mundësi reale për ta shfrytëzuar në shërbim të jetëgjatësisë së së tij. Shpresa ishte tek “elektorati gri”, i cili besohej se mund të kishte motiv për të votuar masivisht dhe me votën e tij, të barasvlerësonte shitblerjen e votës. Në fakt kjo nuk ndodhi dhe nuk kishte arsyetim logjik të ndodhte. Të paktën 610 mijë shqiptarë, u larguan nga ky vend nga 2014 e këtej. Por shpresa vdes e fundit…
Votat janë blerë “si në karadak”, masivisht dhe me shumë mjete. Nuk janë hedhur vetëm para, lekë apo euro. Janë realizuar edhe punësime në administratën shtetërore, janë bërë edhe qoka për festa apo edhe probleme të ndryshme, si ato shëndetësore. Janë dhënë premtime për vende pune në administratë pas fitores. E aty ku të gjitha këto nuk kanë ecur, në lojë ka hyrë intimidimi, kërcënimi, duke dekurajuar daljen në votim me 25 prill, rrjedhimisht edhe rritjen e numrit të votuesve.
Natyrisht, opozita e dinte se votat do të bliheshin, po bliheshin. Janë me dhjetra rastet e denoncuara dhe madje, në një tragjik, humbi jetën edhe një shtetas në Elbasan. Strukturat e shtetit, ishin në dijeni të plotë. Nuk reaguan, reaguan me shumë vonesë ose bënë medemek se po reagojnë. Madje, në disa zona të Qarkut të Shkodrës, mjete e punonjës të strukturave të sigurisë, shoqëronin persona e mjete që joshnin me para varfërinë e ulur këmbëkryq në këtë vend. Ka patur, ka dhe do të dalin video e foto të këtij procesi të turpshëm. Më shumë i turpshëm për ata që mbjellin dhe më pas blejnë varfërinë e shqiptarëve se për ata që tregtojnë lirinë e tyre me instrumentin votë.
Në kutitë e votimit që u mbyllën pas orës 19.00 në të gjithë vendin, ndryhej vullneti i tjetërsuar i shqiptarëve. Sigurisht, jo i të gjithëve por i atyre që me shitblerjen e votës, kthyen në nul vullnetin e shqiptarëve. Edhe exit- poll- et e pas zgjedhjeve nuk tregojnë asgjë më shumë veç kësaj. Ata që shitën votën, deklaruan në dalje të qendrave të votimit për kë do të kishin patur dëshirë të votonin dhe ajo atë që realisht kanë votuar. Sepse ishin viktimat e shitblerjes së votës. Mes tyre, ka patur edhe të paditur që në amullinë e numrave të kandidatëve dhe të partive politike, i kthyen votat e tyre në të pavlefshme në vendimmarrje. Por pjesa më e madhe, duket se kanë qenë të zgjuar. Tregtinë e votës së tyre, e kanë shfrytëzuar maksimalisht. Pasi i kanë premtuar më shumë se një partie politike votën, për të rritur fitimin nga e njëjta votë, kanë votuar dy numra apo më shumë në krahun e majtë të listës së partive politike. Shpirti i Sudes vazhdon akoma ndër shqiptarë, nga një votë e vetme, për të nxjerrë fitim të shumëfishtë. Sot janë mbi 83 mijë vota të pavlefshme, më shumë se herët e tjera. Por të asociura me shitblerjen masive të votës, pesha e tyre rëndon mbi shpatullat e çdo shqiptari.
Kur zgjedhjet humben, koka e parë që kërkohet të pritet, është e humbësit. Por përpara dërgimit në gijotinë, çdokush, jo vetëm ata që e shitën votën, duhet të reflektojnë. Çfarë duhej të kishte bërë opozita të frenonte fenomenin masiv të shitblerjes së votës? Përgjigja e parë, më e shkurtër është: Ç’ më duhet mua, unë kam zgjedhur një parti apo lider për ta garantuar. Përgjigje kjo, që vlen për ata që mirë apo keq, kanë zgjedhur me vullnet të lirë me 25 prill. Të tjerët, jo të paktë, ata që e tregtuan votën, nuk flasin dhe ulin kokën në hallet e tyre, të cilat mbase për disa ditë apo disa javë e muaj, i kanë zgjidhur. Kur një strukturë shtetërore, nga A tek ZH, nuk vepron edhe pse në dijeni të plotë, e në disa raste madje duke bashkëpunuar, çfarë mund të bëjë opozita?! SMV- ja e famshme, u kritikuar mbase me të drejtë. Struktura për Mbrojtjen e Votës, ishte arma e fundit që opozita mund të përdirte dhe e përdori. Ndoshta jo në të gjithë vendin, por e përdori. Dhe sërish nuk u minimizua shitblerja e votës.
Kapitalizmi nuk është sistemi më i mirë për shoqërinë njerëzore, por më tregoni një më të mirë, na mësonte dikur një nga kokat e shquara të njerëzimit. Kjo për të kuptuar se vota e lirë e një individi, ka të njëjtën vlerë kur numërohet si vota e shitur e një qytetari. Vota e një individi që sheh në një X një apo disa thasë miell, është e barazvlefshme me të atij që sheh në një fletë të thjeshtë letre fëmijën e tij 20 vjeçar që akoma mbase nuk i ka lindur. Vota e një individi që e sheh votën si një skedinë futbolli, në këtë rast bëhet e vlefshme me të atij që tek ajo fletë letre, sheh valixhet gati për të ikur nga sytë këmbët nga ky vend.
Prej 30 vitesh, deputeti fatkeqësisht, shihet si një person që duhet të të përmirësojë direkt ekoniminë tënde, të familjes, të të futë në punë por edhe të të doravisë qoftë edhe me një shishe birrë kur të kërkon votën. E në fakt, ky është pikërisht mjeti që një kryeministër apo kandidat për kryeministër, përdor për të patur pas vetes sa më shumë deputetë, mbi supet e të cilëve të mbështetet për të qendruar sërish apo për tu bërë kryeministër. Këtë sistem kemi ndërtuar këto vite, këtë sistem do të vuajmë edhe për shumë të tjera, teksa të gjithë ata ishin, janë apo do të vijnë, do të mbjellin varfëri, mbijetesë në kufijtë e saj, për ta lundruar sa më gjatë për të zgjatur sundimin e një kaste të konsoliduar 30 vjeçare.
E pas këtyre rreshtave, të rreshtohemi të gjithë, të kërkojmë gijotinë për këputje kokash. Madje, ata që e shitën votën, me zë më të lartë se të tjerët. E përsëri, pas dy apo katër vitesh, do të përsëritet e njëjta skemë. Më këta liderë apo parti politike, të rinj apo të vjetër, nga planeti Tokë apo nga Marsi, nëse për ta do të duhet të votojmë ne shqiptarët. Shqiptarë të zhytur në varfëri dhe që një pjesë jo e vogël, shpirtin nuk ia kemi shitur djallit por votës që na kërkohet në emër të tij nga disa engjej me skadencë 30 ditore. /Nga Blerti DELIJA/