Nga Romeo GURAKUQI
Rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit 2021, për cilindo vëzhgues të vëmendshëm dhe të përhershëm të jetës shoqërore dhe politike të Shqipërisë, nuk ishte i papritur. Një kombinim faktorësh të hershëm dhe fundor, që lidhen me menyrën se si funksionon demokracia dhe sistemi kushtetues dhe ligjor i këtij vendi, me thelbin e Pozitës kontrolluese të gjithshkaje dhe strukturën e paparimtë të Opozitës, me kulturën e udhëheqësive, me menyrën e realizimit të vendimarrjeve partiake, me lënien e paprekur të deformimeve administrative, kulturore dhe krahinore të realizuara me plan nga socialistët, me zhbalancimin e numrave të kolegjeve elektorale mes rajoneve, përjashtimin e emigrantëve nga të drejtat elektorale, të gjitha këto na e kanë përafruar me kohë parashikimin e produktit të dalë nga ky proces.
Përfaqësitë e vendeve aleate të Shqipërisë u angazhuan seriozisht për rivendosjen në standardet kushtetuese të jetës politike dhe demokracisë, përmes garantimit të zgjedhjeve të lira dhe reformimit institucional. Ata ndërmjetësuan për qetësimin e krizës së dorëzimit të mandateve, marrëveshjen e 5 qershorit 2020 ; i kujtuan herë pas here klasës politike shqiptare, parimet, prioritetet dhe vijat e kuqe që nuk duhet të kapërceheshin. Të tilla ishin edhe mesazhet e zv. Ndihmës Sekretarit të Shtetit Palmer në vizitën virtuale në Tiranë: kandidatë të besueshëm, zgjedhje transparente dhe me standarde, qeverisje e nesërme që vijon refomën në drejtësi.
Mirëpo, për vezhguesit e përditshëm të situatës shqiptare, duket qartë se asgjë nuk arriti ta ndalë udhën e përkundërt më këto pritshmëri, që ka marrë jeta politike e pa reformuar. Jetojmë në një vend ku sfera publike ka dy fytyra: një fallse për t’ia paraqitur të huajve dhe një tjetër për konsumin e përditshëm të vendalinjve me të cilët ftyra asht ba shollë: sfera publike në fakt është e kapërthyer nga një kontroll sistemik i gjithanshëm i lirisë së votës, fjalës dhe vullnetit të qytetarëve. Dhe në të vërtëtë, ndërkohë që me zonjën Kim dhe zotin Palmer përbetimet e ndershmërisë dhe seriozitetit të qeverisë nuk kanë fund, në tërren, “zënia e elektoratit” filloi muaj përpara, kandidatët u emëruan nga kryetarët, përplasja e shërbyestarëve të politikës kishte filluar me ngjarje që ndërlikoheshin në dhunë çdo ditë në një seksion të errët dhe të pakapshëm për qytetarët dhe organet ligjzbatuese.
Në pamje të parë ngjan se ndërkombëtarët negociojnë me eliten e vendit, nisur nga parimi se në partitë politike, që kontrollojnë punët e përditshme të Shqipërisë, është e organizuar pjesa më e ndritur dhe emancipuar e shoqërisë. Po ashtu presupozohet se vendimarrjet partiake dhe përzgjedhja e burimeve njerëzore vijnë për shkak të respektimit të rregullave statutore, që imponojnë një demokraci të brendshme, kritere elitare, respektim të komuniteteve kulturore, për rrjedhojë edhe përfaqësi të vullnetit sovran. Në fakt, asgjë e tillë nuk është e vertetë. Sistemi politik ka përshtatur një kontroll piramidal të partive politike, prej drejtimit themelor të prapaskenës, ndaj të cilit vetë-ofrohen nën garanci me spektër të gjërë, kandidatët për poste, ose përzgjidhen sipas planeve, përsonazhe lehtësisht të kontrollueshëm, shkollimi i të cilëve në shumë raste nuk është i qartë në pikëpamje kronologjike dhe faktike. Kushdo që nuk respekton këtë skemë përkuljeje nën suport “kolosësh”, mbetet jashtë.
Cilido rishtar që nuk bën pjesë në këtë skemë, ka rezultuar i nevojshëm vetëm për të ndërtuar një alibi kalimtare kinse pastërtie dhe parimesh për kontrollorët e mëdhenj, por kurrë më shumë se kaq. Ngjan sikur jemi në dekadat e fundit të Perandorisë Otomane, kur vezirët ndanin dhe dhuronin çifligjet ndaj çifligarëve të kooptuar kundrejt shërbimeve, por në fakt jemi në Shqipërinë e vitit 2021, vendi i vetëm ballkanik ku hija e së shkuemes nuk u shkul nga veset e shoqërisë qeverisëse. Madje, vetë Kryeveziri vazhdon të jetë i programuar dhe i ndihmuar në kryeqendrën e ish-perandorisë edhe për të vu në rresht deri edhe 60 shtetas të tij rebelë, që i bllokojnë kullen e vetme komanduese të hapësirës ajrore (Kulla e Rinasit, si moduli tipik i nepotizmit kapilar, tarafeve dhe e kompromisit të palëve në mes sherrnajes në Arnautistan, kazus për shqyrtim të thelluar).
Sistemi zgjedhor i krijuar dhe i mbajtur me forcë në këmbë prej dekadash, në qoftë se nuk do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore pas këtyre zgjedhjeve, nga një qeveri e re e teknicienëve europianistë të pranuar nga palët (unë nuk kam shpresë që socialistët mund ta bëjnë këtë gjë, për shkak të vullnetit të tyre për me sundue të tjerët), pavarësisht rezultatit, përjashton tërësisht dhe me afat të gjatë nga pjesëmarrja në jetën politike të vendit, eliten intelektuale dhe profesioniste, përfaqësuesit e mirëfilltë të komuniteteve. Askush nga profesorati universitar dhe akademik, klasa e teknicienëvë të mirëfilltë, brezi i ri i shkolluar përnjimend jashtë vendit, nuk ka me pasë mundësi të vendoset në shërbim të vendit në mënyrë realisht ndikuese dhe imponuese, për shkak të këtij mekanizmi të ndërlikuar zgjedhor, në qoftë se sistemi politik nuk ndryshon dhe drejtësia e re në hyn në punë me të gjithë seriozitetin e nevojshëm. Imagjojeni se çfarë ka ndodhë në dhjetëvjeçarë me kontrollin e programuar të lirisë zgjedhore: vullneti i të mëdhenjve, përmes ligjit zgjedhor të menduar deri në detaje për ta ruajtur këtë monopol kontrolli piramidal të individevë të prapaskenës, ua ka afruar qytetarëve përfaqësinë siç ka dashtë vetë, pa asnjë mundësi praktike ndryshimi dhe kandidimi të çdo intelektuali, jashtë programimit themelor partiak, rrethit sherbënjës, familjarëve të tyre të gjithpushtetshëm që fusin hundët në çdo cep.
Nga ana tjetër, shitblerja paraprake e votës së njerezve të varfër të shoqërisë mbetet në të vërtetë problemi i madh i zgjedhjeve te 25 prillit, që ndryshe nga qershori i vitit 2017, tani ndodhi haptas dhe pa asnjë ngurrim. Shitblerja u realizua përmes një rrjeti të “sipërmarrësve” elektoralë, njerëzish të fortë dhe të padukshëm zonalë, të ngarkuar dhe të shpërndarë në territor, që garantojne dhe marrin përgjegjësi para “Ngarkuesve te Medhenj”, bosëve komandues të prapaskenës, që kanë bërë planifikimet e “shkruajnë” urdhër-shërbimet . Pjesë tjetër e kësaj ndërhyrjeje të paparashikuar nga ligja është sistemi i patronazhimit, ndërtuar kohë më parë, përmes verifikimit në terren të qytetarëve, që qartazi kapërcen kufizat e lejuara nga ligja, duke arritur në limitet e një vepre penale të shumëfishtë. Personalisht e kam denoncuar me kohë. Askush nuk bzani kur ishte koha për ta parandalu. Dhe ne jemi në rrethanat që urdhëruesit e shenjëstrimit të të dhënave personale, kanë marrë sot pushtet, janë të paprekshëm, kanë çdo gjë në dorë dhe mundohen ta kalojnë me tallje këtë shkelje në komunikimin publik.
Mirëpo, shitja e votës nga shtresat e varfëra të shoqërisë është vetëm pasojë e një “gabimi” sistemik: para se ky fenomen të ndodhë, të tjera fenemone edhe më të rënda i kanë paraprirë pa u ndal dot dhe e kanë minuar pastërtinë e sferës publike:
1. Zënia jo sovrane, pa zbatimin e asnjë metodologjie në vlerësim, me garanci dhe ndërmjetësi të paqartë e vendeve në listat e përfaqësimit; ndërhyrja ndërmjetësve të mëdhenj (sekserë i quajmë), nga ato që ngrejnë kullat deri tek grosistët, në procesin e nominimeve të vendimarrësve finalë, në mbështetjen dhe garantimin e përfaqësuesve provincialë;
2.Vendosja në listat e kandidatëve, e personazheve, që nuk dihet nga u burojnë të ardhurat, e atyre që janë përfshirë në shitjen me nji lekë të pronave publike, e pastruesve të parave përmes ndërtimeve të të tjerëve (prestanomi) në qytetet kryesore të vendit, e njerëzve fasadë me një fjalor prej 200 fjalësh, pas të cilëve ka përherë, ose një njëri që gëzon pushtet ekzekutiv, lokal ose qendrorë, ose një “adjutant” të një komanduesi të padukshëm, që mendon për të nesërmen duke financuar pakëz të sotmen zgjedhore;
3. Asnjë transparencë paraprake financiare dhe asnjë detyrim raportimesh të të ardhurave për fushaten nuk është vendosur strikt nga rregullatorët e procesit zgjedhor, duke krijuar një pabarazi në perzgjedhjen e elektoratit dhe përplasje kandidatësh kinse të një ngjyre.
4. Në zgjedhjet e zhvilluara pati një angazhim në përmasa të paimagjinueshme edhe të krimit të organizuar, boseve të mirënjohur të ngjarjeve më të rënda kriminale në vend, të thirrur me porosi për muajin prill 2021, që kulmoi në përplasje të frikshme, për të cilat qeveria hesht, ndërsa Policia nuk guxoi t’i parandalojë.
Kemi të bëjmë me një piramidë të tërë njërëzish pa asnjë formim kulturorë, të lidhur në shkëmbim interesash, ndërmjetësim dhe garantim pushteti dhe paraje, në mëkate, tarafe dhe klane, lidhjesh të vjetra dhe të reja, që priret drejt ringjitjes si përherë në organin më të lartë sovran dhe djegies së shpresës për shqiptarët në 4 vitet e ardhshme për drejtësi, paqe, dekriminalizim kuptimplotë dhe de-analfabetizim kapilar. Një koleksion njërëzish të paarrirë në profesionet e tyre formale, pa shkollime transparente me publikun, priret të zotnojë organin sovran, falë një merite të vetme: përputhshmërinë me formatin e kërkuar nga emëruesi, shërbimit më ulurima mujshare, përuljes, bindjes, nënshtrimit ndaj njëshave të errësirës dhe dritës dhe garantimit financiar të dikujt në prapaskenë, që pret kompensim adekuat nesër.
Para kesaj piramide të padrejtësisë politike është fishkur sovraniteti i popullit, janë shuar statutet, rregullat e konkurencës së ndershme, mbi bazen e të cilave është marrë e drejta e funksionimit të organizatës politike nga Shteti; është zeruar Kodi i Ri Zgjedhor, Karta e Lirive dhe Kushtetuta. Para kesaj piramide të padrejtësisë bie shpresa për një Drejtesi të Re Shtetërore, Integrimi Europian dhe Misioni ODHIR ngjan të jetë një grup marinarësh, që përpiqen të kuptojnë ku ndodhet anija tyre, në mes një oqeani të trazuar të një demokracie të ngatërruar ndër nyje të pazgjidhshme, që ngërçohen në vilat e periferisë së Tiranës.
Ky vend është aq larg çdo vendi tjetër normal te Europes, i pangjashëm me ndonjë vend tjetër Ballkanik ku europianizimi ka ngulë rranjë dhe tallavaja është harruar. Është Republika e Oligarkëve të Shqipërise, e politikaneve të gjithpushtetshëm, apo pronarëve të tyre në hije; një shtet në të cilin kushtetuta nuk ka vlerë universale për të gjithë shoqërinë, por në mënyrë të përshkallëzuar, sipas funksioneve kontrolluese, vetëm për rreth 5% të popullsisë së saj: oligarkë, gangsterë dhe korrupsionistë. Të tjerët janë veç numra turmash, të cilët, ose duhet të llogorizohen në skemë, ose të vuajnë përjashtimin, diskriminimin e përbindshëm të heshtur dhe të përgatiten për emigrim.
Është pra shteti që nxjerr jashtë popullin e vet me kamzhikun e agallarëve, plot sy dhe veshë në shërbim të komanduesve; ai shteti në të cilin udhëheqësit përgatitën të zëvëndësojnë popullin arbnor me emigrantë të Lindjes së Largët; ai shteti që përsekuton me heqje buke dhe goditje spastruese pasardhësit e familjeve që rilinden Shqipninë Arbnore, kulturalisht, politikisht dhe qytetarisht. Është një shoqëri që e kontrollon dhe e komandon lirinë politike të qytetarëve, fjalën e intelektualëve, të cilët do të duhet të flasin vetëm për atë çfarë flasin të parët, kurr nji hërë ndryshe nga kaseta ose qarkorja e tyre, sepse atëherë bëhen armiq, duhet të prozhmohen dhe linçohen nga trushplarët, servilët dhe “ushtarët” me kohë të plotë të zyrave sekrete të “pronarëve”.
Është një shoqëri që mbështetet mbi modelin e përkrahjes në heshtje të korrupsionit, si model për të përparuar; mbi tarafin, nepotizmin, lidhjet farefisnore pa ngjyrë politike, por të shpërndarë gjithandej në një përkrahje të posaçme klanore, që përjashton çdo tjetër, që nuk bën pjesë në këtë grup të përcaktuar për të qenë në tavën e çdo përfitimi publik; një shoqëri që admiron dhe imiton mujsharinë në komunikimin politik, si model për të bërë përpara në jetë; një shoqëri që mbështetet mbi padrejtësitë e të marrumve dhe babzitunve, që kanë firmat, vulat, çelësat e fatit dhe udhët e së ardhmes. Kjo është e verteta e idhët, të cilen duhet të kemi guximin ta njohim, ta pranojmë dhe të premtojmë se do ta korigjojmë me themel, mbasi ndryshe pak shanse do të kemi për përparim dhe shpëtim të shtetit dhe kombit tonë si europianë të njimendtë.
Në këto rrethana të rënda të një kohe të pangjashme, që fshihet me dashje nga pjesa më e madhe e përpunuesve të opinionit publik, misioni i vetëm “mbetet ndihja e popullit”, rizgjimi i tij, orientimi në rrugën e duhur, permes shembullit personal jo gënjeshtrës sistematike dhe llafeve boshe, peruljes dhe jo krekosjes, urtësise dhe jo madheshtise pa bosht, transparencës në vendimarrje dhe jo shmangies, rrëfimit të sinqertë dhe jo bishtnimit, kërkesës së faljes, mbrojtjes së njimendtë të vlerave kombëtare dhe demokratike dhe jo rrenës. Yryshi i kotësisë drejt majës, ambicja e të errësuarve që nuk masin dot kapacitetet vetjake, shtysa egoiste e grave të reja pasunare, të shfrenuara nga paraja e arritun pa mund, të gjitha së bashku janë në fakt forca tërheqëse e rrumujës, që nuk mund ta ndih dot masivisht një shoqëri, që ka nevojë të reformohet, pastrohet, europianizohet dhe laicizohet.
Dhe nuk duhet të harrojmë se kur “nji brezni apo popull i tanë e humb drejtimin”, ecën vetvetiu mbas humbamenove dhe etërve të tyre, “s’ka Zot qe e ndih”, s’ka motorr që e lëviz nga shtrati i përgjumjes dhe pranimit të së keqës me vetdorëzim. Vetë rezultati i votimeve individuale, në një masë të madhe, është një indikator që shoqëria i është dorëzuar së keqit. Dhe një shoqëri kështu e ndertueme, nuk mund të ketë jetë të gjatë mbi këto binarë të kalbur.
Ndërkohë, ndihja e popullit dhe e shoqërisë nuk mund të ndodhë nga shenjëstrues batallë, që i përkasin nga pikëpamja e prejardhjes ideologjike, një bote po aq të vjetër, po aq të korruptuar dhe po aq mëkatare sa edhe “specialistët” e sotëm të ngrirjes e përjetësimit të pushteteve majtiste. Në mënyrë të kontrolluar, një pastrim dhe korigjim strukturor duhet të ndodhë në këtë vend, që nuk mund të realizohet në asnjë rast nga kalcifikuesit e regjimit të ri monopartiak të Shqipërisë 2019-2021, as me projektet politike të Boshave që kanë krye punë me kohë.