Historia përsëritet! Para disa viteve, në kohën e qeverisjes së vendit nga PD- ja, u vendos ndriçimi dekorativ në Kalanë “Rozafa”. Nuk vonoi dhe pas disa javëve, ai u dëmtua dhe “Rozafa” iu rikthye errësirës shekullore.
Disa javë më parë, “Rozafa” u kthye të shndrisë natën përsëri. Madje, vetë kryeministri Rama i kushtoi postime në rrjete sociale rikthimit të ndriçimit të pjesës ndoshta më të rëndësishme, të historisë së Shkodrës e më gjërë.
Por përsëri, në prag të sezonit turistik, rrjeti i ndriçimit të Kalasë “Rozafa”, është dëmtuar. Kjo është bërë e ditur nga një reagim i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, e cila bën me dije se për ngjarjen, i është drejtuar edhe policisë.
REAGIMI I DRTK SHKODËR NË FACEBOOK
REAGIM❗
DRTK SHKODËR dënon me forcë çdo akt dhe dëmtim të Trashëgimisë Kulturore dhe pronës publike.
Për fat të keq pre e dëmtimit dhe vjedhjes, ka rënë këto ditë edhe rrjeti i ndriçimit të jashtëm në Kalanë Rozafa. Përtej dëmit ekonomik, ky është një cënim i rëndë i imazhit të siteve tona, trashëgimisë tonë kulturore në sytë e vizitorëve dhe bie ndesh me përpjekjet tona të përbashkëta për rikthimin në normalitet të sezonit turistik, goditur rëndë nga pandemia globale.
DRTK Shkodër i është drejtuar organeve të Policisë Qarkut Shkodër për vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo individi që cënon apo dëmton simbolin e qytetit tonë, Kalanë Rozafa.
Ky reagim le të shërbej si një thirrje dhe sensibilizim publik për të gjithë bashkqytetarët, për ruajtjen, sinjalizimin, e çdo tentative për dëmtim.
TRASHËGIMIA KULTURORE ËSHTË PRONË E TË GJITHËVE!