Zërat sipas të cilëve PD mund të mos e njohë rezultatin e zgjedhjeve, sipas gazetarit Blendi Fevziu, nëse janë të vërtetë, e ngarkojnë Lulzim Bashën me barrën e provës. Fevziu tha se zbardhja e manipulimit të votës, nëse ka ndodhur, do të ishte një kontribut i madh për vendin.
“Nëse PD dëshmon që ka vjedhje, ky do të ishte kontribut i jashtëzakonshëm për vendin. Nëse kjo është e vërtetë, shpresoj që Basha të hyjë në një betejë për të zbardhur manipulimin e votës dhe jo për të shmangur debatin brenda PD. E ka bërë edhe Rama më parë një lëvizje të tillë”, thekson ai.
Sipas Fevziut, nëse Lulzim Basha nuk largohet me vullnetin e tij, askush në atë parti nuk e mund dot.
“As Sali Berisha nuk e mund dot”- shtoi.
Fevziu tha se nuk pret që Basha të dorëhiqet, pavarësisht humbjes së zgjedhjeve. Sipas tij, largimi Bashës nuk mund të vijë as përmes zgjedhjeve në parti, kjo sepse përvoja ka treguar se gjithmonë garën e fiton lideri.
“I shoh njerëzit që dorëheqjen e konceptojnë si një lloj vrasjeje. Nëse më pyet a jep dorëheqjen Basha, unë mendoj se jo. Kryetarin nuk e mund kush në parti. E mbani mend garën Rama-Maqo Lakrori?”- tha Fevziu në emisionin “Të Paekspozuarit”.