Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar sot me short relatorët për kërkesat ankimore në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit. Shorti përcaktoi se relatorë do të jenë Elvin Lako, Elvis Çefa, Ilir Rusmajli, Koli Bele dhe Ledio Braho.
Secili prej tyre do të jetë relator për 15 kërkesat ankimore në KQZ.
“Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë paraqitur 15 kërkesa duke filluar nga kërkesa ankimore nr. 32 deri në kërkesën ankimore nr. 46”, tha sekretari i KQZ Ylli Merkaj.
Janë 9 kërkesa ankimore nga ana e Partisë Demokratike për përsëritjen e zgjedhjeve në 9 qarqe, 4 kërkesa janë nga LSI dhe 2 nga koalicioni ABEOK.
Partia Demokratike depozitoi dje në KQZ dosjen ankimore për mosnjohjen e zgjedhjeve të 25 prillit në 9 qarqe, në të cilat ajo pretendon qindra fakte konkrete të vjedhjes së votës dhe tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve.
RELATORËT E ANKESAVE TË PARTISË DEMOKRATIKE
Nr. ankimit Qarku Relatori
36 Vlora Elvin Lako
37 Durrësi Koli Bele
38 Shkodra Elvin Lako
39 Tirana Ledio Braho
40 Elbasani Elvin Lako
41 Gjirokastra Koli Bele
42 Berat Ilirjan Rusmali
43 Korca Elvis Cefa
44 Fieri Ilirjan Rusmali