Ditën e martë, 11 maj 2021, në Bashkinë e Shkodrës, do të zhvillohet ankandi për shitjen e 100% të aksioneve të KF Vllaznia sh.a., pronë e Bashkisë së Shkodrës. Në fakt, nesër nuk do të njihet pronari apo pronarët e rinj të aksioneve të kësaj shoqërie aksionare publike. Përcaktimet për ankandin publik, në këtë rast, edhe për KF Vllaznia sh.a., përcaktohen qartë në Ligjin Nr.9874, datë 14.2.2008 “Për asnkandin publik” ndryshuar me Ligjin Nr.10 346, datë 04.11.2010, dhe Ligjin Nr. 12/2017.
Ditën e ankandit, do të hapen ofertat e kompanive apo individëve që kanë treguar interes, kanë paraqitur dokumentacion për blerjen e aksioneve të KF Vllaznia sh.a. Autoriteti shitës, do të bëjë publike ofertat, duke i listuar nga vlera më e lartë e paraqitur (e cila domosdoshmërisht do të duhet të jetë më e lartë se 507 milion lekë të vjetra sa është dyshemeja e vendosur ne vendimin e Këshillit Bashkiak Shkodër), deri tek më e ulëta.
Njësia e ankandit, për të gjitha kompanitë apo individët që kanë paraqitur oferta, ka të drejtë të kërkojë sqarime dhe dokumente të tjera, nëse është e nevojshme. Nga dita e nesërme, 11 maj 2021, njësia e ankandit ka deri në 10 ditë kohë (afat) për të shqyrtuar ofertat nëse janë në përputhje me Ligjin Nr.9874, datë 14.2.2008 “Për asnkandin publik” ndryshuar me Ligjin Nr.10 346, datë 04.11.2010, dhe Ligjin Nr. 12/2017 dhe kriteret e vendosura për këtë ankand.
Më pas, njësia e ankandit njofton publikisht se cilat oferta janë kualifikuar dhe cilat jo, përmes një shkrese që i dërgohet e argumentuar, të gjithë kompanive apo individëve që kanë paraqitur ofertë për blerjen e aksioneve. Po ashtu, njoftohet edhe Agjensia e Prokurimit Publik për këtë proces vendimmarrje. Nga momenti që kanë marrë dijeni, çdo ofertues i skualifikuar, ka të drejtë që brenda 7 ditëve të ankimojë vendimin pranë autoritetit shitës por edhe në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili nga ana e tij, ka 7 ditë në dispozicion për të dhënë vendimin për çdo ankesë të mundshme.
Në një moment tjetër, të gjitha kompanitë e individët e kualifikuar për pjesëmarrje në ankand, thërriten nga njësia e ankandit për të nisur konkretisht ofertat e tyre për aksionet e KF Vllaznia sh.a. Pavarësisht se kush ka dhënë më shumë vlerë monetare për aksionet në momentin e paraqitjes së ofertës, të gjithë të kualifikuarit, ditën e ankandit, kanë të drejtë të paraqesin ofertat e tyre, me kusht rritjen nga oferta në ofertë me 3% të vlerës fillestare. Në këtë fazë, mund të themi se njihet aksioneri apo aksionerët që kanë blerë aksionet e KF Vllaznia sh.a. Por përsëri, procesi nuk ka marrë fund.
Pavarësisht ngrirjes në bankë të një sasie parashë që konsiderohen “sigurimi i ofertës” dhe është 40% e shumës fillestare të aksioneve të KF Vllaznia sh.a., ligjin parashikon një afat të caktuar për depozimin e pjesës së mbetur të shumës së deklaruar në ankand nga fituesi. Nëse nuk respektohen këto afate, automatikisht skualifikohet dhe shpallet fitues i dyti në listimin e ofertave.
Për ta përmbledhur, sipas përcaktimeve në Ligjin Nr.9874, datë 14.2.2008 “Për asnkandin publik” ndryshuar me Ligjin Nr.10 346, datë 04.11.2010, dhe Ligjin Nr. 12/2017, nesër, me datë 11 maj 2021, nuk do të ketë një fitues të ankandit të KF Vllaznia sh.a. Sipas gjasave, tifozët por edhe opinioni publik, duhet të presin për të njohur pronarin e ri të Vllaznisë. Me shumë mundësi, nëse gjithçka ecën sipas përcaktimeve ligjore, duhet pritur muaji qershor për të mësuar. Të gjithë të interesuarit, mund të klikojnë KËTU për tu njohur me Ligjin Nr.9874, datë 14.2.2008 “Për asnkandin publik” ndryshuar me Ligjin Nr.10 346, datë 04.11.2010, dhe Ligjin Nr. 12/2017. /ShkodraWeb/