Sot pasdite, në orën 18:00, në oborrin e Katedrales së Rrëshenit u organizua takimi “Pandemia dhe ndikimi i saj në ekonomi”. Me të, nisi triditëshi i aktiviteteve që Dioqeza Rrëshen ka organizuar për festën e sh’Llezhdrit, i cili është dhe Pajtori i saj.
Siç e dimë Pandemia e ka ridimensionuar jetën tonë në një mënyrë apo në një tjetër, duke ndikuar në të gjitha dimensionet e saj. Kësisoj është e pamundur që të diskutojmë për diçka pa e bërë pjesë të atij diskutimi dhe Pandeminë. Edhe tematika e triditëshit tonë të aktiviteteve për festën e sh’Llezhdrit sillet rreth saj.
Ne mund të kishim zgjedhur të flisnim për arsimin, shëndetësinë, politikën, etj., por kemi zgjedhur të bëjmë objekt diskutimi tri fusha për të cilat nuk është diskutuar aq shumë sa për ato të sipërpërmendurat, që në fakt janë po aq të rëndësishme sa ato. Konkretisht për ekonominë, shëndetin mendor dhe religjionin.
I ftuari i takimit të ditës së sotme si ekspert i fushës ishte Enio Civici, ekonomist dhe drejtues i një emisioni televiziv për ekonominë. Në fillim të takimit “Pandemia dhe ndikimi i saj në ekonomi”, Mons. Gjergj Meta tha fjalët e tij përshëndetëse. Ai e nisi me një citim nga Magna Charta e Koncilit II të Vatikanit, një orientim i Kishës i rrënjosur thellë në logjikën e Mishërimit të Hyjit.
“Gëzimet dhe shpresat, trishtimet dhe ankthet e njerëzve të sotëm, sidomos të të varfërve dhe të të gjithë atyre që vuajnë, janë edhe gëzimet dhe shpresat, trishtimet dhe ankthet e nxënësve të Krishtit, dhe nuk ka gjë përnjëmend njerëzore që nuk gjen jehonë në zemrën e tyre.” (GS 1)
Në vijim, takimi u zhvillua si një dialog rreth ndikimit që ka pasur Pandemia në ekonominë globale në përgjithësi dhe në atë Shqiptare në veçanti. Zoti Civici theksoi faktin se kjo Pandemi na bëri të kuptojmë rëndësinë e një ekonomie më njerëzore dhe nevojën e kthimit te toka, te rrënjët, te turizmi, mikpritja, bujqësia, si mënyra për ta kaluar këtë krizë të tanishme po edhe për t’u përballur me sfidat ekonomike të ardhshme ne një kohë postPandemie.
Rigers Kaçorri dhe Rigerta Loku, ndanë me të pranishmit mënyrën se si ka ndikuar Pandemia në bizneset e tyre. Sa i përket efekteve që ka pasur Pandemia në ekonimë tonë dhe reflektimit se si mund të rimëkëmbemi dalëngadalë, ata ishin në një linjë me Zotin Civici. Duhet të nisemi nga lokalja, t’i japim prioritet asaj. T’i japim prioritet Tokës.
Nismat që Dioqeza e Rrëshenit ndërmerr nuk kanë arsye tjetër përveç interesit për jetën konkrete të njerëzve në të gjitha dimensionet e saj, sociale, ekonomike, shëndetësore dhe shpirtërore. Kisha nuk është një entitet abstrakt, por një bashkësi burrash dhe grash, e orientuar drejt Mbretërisë së Hyjit dhe e rrënjosur në territor dhe në komunitetin e njerëzve. Kishës i intereson jeta e përditshme e njerëzve dhe misioni i saj është t’i shërbejë asaj duke përçuar dashurinë e Hyjit, duke luftuar për paqen dhe drejtësinë si atribute të Mbretërisë së Hyjit. Kështu ajo bëhet dritë, kripë dhe tharm për shoqërinë në të cilën jeton. /Publikuar në faqen në Facebook të Dioçezës Rrëshen/