Nga ora 10.00 e ditës së sotme, në mjediset e Bashkisë së Shkodrës ka nisur ankandi publik për shitjen 100% të aksioneve të KF Vllaznia sh.a. Pavarësisht se fillimisht paraqitën interes për blerjen e aksioneve 10 subjekte, ditën e sotme në sallën e Këshillit Bashkiak, aty ku do të zhvillohej ankandi, janë paraqitur vetëm tre të interesuar.
Konkretisht, janë bërë pjesë e ankandit me ofertat e tyre: ALBAPHOTO dhe ALBASPORT& ENTERTAINMENT- Alban Xhaferri, JONI 5 shpk- Emiliano Zhupa dhe CARPATHIA ALBANIA- Almiro Gurakuqi e Burim Latifi. Që nga nisja e procedurave, në sallë janë lejuar vetëm subjektet e interesuara dhe Njësia e Ankandit e cila kryesohet nga nënkryetari i Bashkisë Shkodër Ardit Çylybyli.
Pjesëmarrësit në ankand dhe Njësia e Ankandit, nuk kanë përcjellë akoma asnjë informacion për mediat e publikun, ndërsa edhe në këto momente, vazhdon procedura. Pas përfundimit të saj, pritet të ketë ndonjë komunikim nga subjektet pjesëmarrëse ose nga Njësia e Ankandit. /ShkodraWeb/