Nga Jetmir SHPUZA, ish- gazetar i “Koha Jonë”
Sot është 30 vjetori i gazetës “Koha Jonë”. Sot mediat janë mjete në duar të njerëzve të pasur,por edhe të politikanëve, drejtimeve të ndryshme politike. Bile mund të themi edhe të kriminelëve, kontrabandistëve të drogës etj., etj. Por asgjë nuk mund ta zbehë historinë e papërsëritshme të gazetës “Koha Jonë” të viteve 90.
Nikollë Lesi nuk ishte bos ndërtimesh, ishte një gazetar si ne që të vetmin biznes kishte këtë gazetë. Atëherë mund të shkruaje çfarë të doje ndaj pushtetarëve dhe njerëzve të pasur, ndaj bosëve të krimit dhe asgjë nuk e ndalte rrugën e botimit (natyrisht me fakte).
Atëherë mund të të trokiste policia në shtëpi e të përfundoje në komisariat, po pronari i gazetës nuk të shiste asnjëherë, po çonte botën në këmbë që të liroheshe sa më shpejt të ishte e mundur. Kam frikë se kjo periudhë lirie shkrimi dhe botimi nuk vjen më në Shqipëri.
Sot mediat i dorëzohen atij që paguan më shumë, ngrihen për të mbrojtur biznese të dyshimta, paguhen për të promovuar interesa politike pa ide. Një kujtim i bukur në 3 vjetorin e gazetës, 11 maj 1994.
Në foto: në këmbë nga e majta Adriatik Dosti, portieri i Besëlidhjes, Martin Leka, Andi Bushati, Jetmir Shpuza, Aleksandër Frangaj, Agron Tozaj. Poshtë: Aleksandër Çipa, Nikoll Lesi, dy punonjës të prapavijës së gazetës.