Partia Demokratike Dega Shkodër ka zhvilluar mbledhjen e saj të parë të kryesisë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit ku PD në qarkun Shkodër mori 5 deputetë. Takimi i kryesisë së PD Shkodër është hapur nga kryetari i kësaj dege Xhevdet Amuli i cili ka falenderuar të gjithë ata që kanë kontribuar gjatë fushatës elektorale dhe procesit të zgjedhjeve por edhe më përpara duke nisur që nga kandidatët për deputet, kryesinë e PD, kryetarët e grupseksioneve dhe kryetarët e seksioneve si dhe çdo demokrat që besoi tek kjo forcë politike duke dhënë votën e tyre.
Kreu i PD Amuli ka përmendur punën e mirë që është bërë nga gjithsecili gjë e cila ka sjellë një rritje të numrit të votave për PD-në Shkodër pavarësisht të gjitha vështirësive me të cilat është përballur në fushatën elektorale.
Më pas fjalën e ka marrë drejtuesi politik dhe deputeti i zgjedhur që kryesoi listën Helidon Bushati i cili gjithashtu ka falenderuar strukturat për punën e bërë nga gjithsecili. Më pas Bushati ka deklaruar se nuk do të ketë një analizë të rezultatit të zgjedhjeve për PD-në Shkodër deri në momentin kur të ketë një përgjigje nga organi i SPAK nga ku është bërë një padi për parregullsitë në procesin e zgjedhjeve siç pretendon PD dhe shit-blerjen e votës, fakte prej të cilave kërkohet ripërsëritja e procesit të zgjedhjeve edhe në qarkun Shkodër.
Deri sa të ketë një vendimmarrje PD Shkodër nuk do të ketë një analizë të mirëfilltë lidhur me rezultatin pasi pretendimet janë të shumta dhe PD beson se ka patur manipulime të mëdha nga kundërshtarët politik që do të kishin sjellë një rezultat tjetër.
Një prej antarëve të kryesisë së PD Shkodër Ndoc Ashta ka qenë kritik në fjalën e tij duke vënë theksin tek fushata individuale e kandidatëve për deputet dhe duke thënë se nëse do të ishte kërkuar votë vetëm për partinë si subjekt politik, PD do të kishte marrë më shumë vota në rang qarku.
Në këtë mbledhje kanë qenë të pranishëm deputetët e zgjedhur Helidon Bushati, Emilia Koliqi, Greta Bardeli si dhe kandidatët Bardh Spahia dhe Helga Sallaku ndërsa ka munguar kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi. /StarPlus TV/