Një nga tre subjektet pjesëmarrëse në ankandin për shitjen e aksioneve të KF Vllaznia sh.a., ka konfirmuar se është kualifikuar në fazën e dytë rë procedurës. Përmes lidhjes telefonike, Alban Xhaferi, ka konfirmuar për ShkodraWeb se Njësia e Ankandit e ka kualifikuar për fazën finale. Ai nuk ka preferuar të bëjë më shumë komente, teksa ka thënë se është kualifikuar për fazën finale të ankandit për shitjen 100% të aksioneve të KF Vllaznia sh.a.
Ndërkohë, nuk ka informacione se cila ka qenë përgjigja e Njësisë së Ankandit për dy subjektet e tjera të përfaqësuara nga Emiljano Zhupa dhe Almiro Gurakuqi. Pas përfundimit të fazës së dytë, ata kanë lëmë menjëherë mjediset e Bashkisë së Shkodrës. Në lojë është edhe afati 7 ditor nga dita e sotme, lidhet me mundësinë ligjore që kanë subjektet pjesëmarrëse në ankand që mund të jenë skualifikuar ditën e sotme. Ankimimin e tyre mund ta depozitojnë tek Autoriteti Shitës dhe në Komisionin e Prokurimeve Publike nëse kanë akoma pretendime, i cili e shqyrton dhe merr vendim.
Në njoftimin e saj për mediat, Bashkia e Shkodrës, ka zbatuar rigorozisht përcaktimet ligjore “Për ankandin publik”, duke dhënë informacion për vetëm aq sa lejohet.
Siç dihet, Xhaferi ofroi 62,5 mln lekë për aksionet e Vllaznisë, teksa Almiro Gurakuqi paraqiti si ofertë 55 milion dhe Emiljano Zhupa 150 milion lekë. Opinioni publik por edhe tifozët, duhet të presin edhe të paktën 7 ditë për të mësuar se kush do të futet në garën finale për Vllazninë, ndërsa ankandi, nëse janë shpallur sot fitues tre subjektet, do të nisë nga vlera 150 milion lekë dhe secili pjesëmarrës duhet të rrisë ofertën e tij me 3% të kësaj vlere. /ShkodraWeb/