Të mërkurë në 26 maj Kategoria Superiore do zhvillojë javën e 36 dhe të fundit (17:00). Deçizive për titullin kampion, java e fundit do dhurojë dy sfida delikate. Në Durrës, Teuta pret Apoloninë, ndërsa në “Loro Boriçi”, vendasit e Vllaznisë luajnë me Laçin.
Në Shkodër, trajneri Thomas Brdaric nuk do ketë shërbimet e Ardit Krymit. Lojtari u ndëshkua me karton të verdhë në sfidën e fituar 0-1 me Partizanin në “Air Albania”.
Mesfushori ka plotësuar numrin katër të kartonave të verdhë, teksa do jetë mungesë e madhe në ndeshjen që mund të cilësohet si finale.
Kujtojmë se Teuta dhe Vllaznia ndajnë kreun e Superligës me 63 pikë, me durrsakët që janë në vend të parë vetëm prej golavarazhit, duke pasur një gol më shumë se shkodranët. /newsport/