Një ditë pasi është mësuar përmes mediave se Partia Socialiste kërkon të shkarkojë nga drejtimi i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë (SHBSH), kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar për mediat vetë vetë kryetarja e kësaj shoqate. Në një intervistë, duke iu përgjigjur interesit të mediave, Ademi ka sqaruar se po tentohet kapja e organeve drejtuese të Shoqatës së bashkive të Shqipërisë, për të penguar shqyrtimin e ankimimit për “30 qershorin” nga Gjykata Kushtetuese.
Kryebashkiakja e Shkodrës ka zbuluar atë që mund të quhet edhe “skenar” për të arritur deri tek terheqja e ankimimit, shqyrtimi i të cilit tashmë ka nisur dhe po vazhdon në Gjykatën Kushtetuese. Tashmë pritet që të zhvillohet mbledhja plenare, e cila do të pasohet edhe nga një vendim përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese për “30 qershorin”. Siç dihet, çdo vendim i kësaj gjykate, është i detyrueshëm të zbatohet dhe mesa duket, përmes kësaj skeme, mazhoranca përpiqet ta ndalojë vendimmarrjen, e cila mund të shpallë të pavlefshëm “30 qershorin”.
Nisma e PS synon që, me heqjen e Ademit nga shoqata që përfaqëson interesat e pushtetit vendor, kryetari i ri socialist të tërheq padinë e bërë në Gjykatën Kushtetuese ku kërkohet rrëzimi i zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Në një letër drejtuar ambasadorëve të SHBA dhe BE në Tiranë, Voltana Ademi shprehet se përfaqësuesit e PS po kërkojnë mbledhjen e paligjshme asamblesë së kësaj shoqate, për të bërë fakt të kryer ndryshimin e kreut të saj.