Njësia e Ankandit e skualifikoi nga gara për shitjen e 100% të aksioneve të KF Vllaznia sh.a. por sot Almiro Gurakuqi ka kërkuar dhe ka marrë vëmendjen e mediave në Shkodër në një dalje për shtyp. Në një komunikim me gazetarët për rreth 30 minuta, ai ka paraqitur vetëm 10% të dokumentacionit të depozituar për pjesëmarrjen në ankand, siç u shpreh vetë Gurakuqi. Në hapje të konferencës, ndoshta thjesht lapsus, foli për privatizim të SportKlub Vllaznia…
Ai ka njoftuar se ka paraqitur ankimim pranë Autoritetit Shitës, në këtë rast Bashkia e Shkodrës, në respekt të afateve ligjore. Në një ekspoze para gazetarëve, Gurqkuai ka prezantuar dokumenta të cilat sipas tij, vertetojnë rregullsinë e aplikimit të tij për blerjen e aksioneve të KF Vllaznis sh.a.
Ajo që ra në sy në këtë dalje, ishte interpretimi i ligjeve dhe akteve nënligjore nga ana e tij, interpretim që sipas gjasave, e ka bërë edhe Njësia e Ankandit që e ka refuzuar pjesëmarrjen e tij në fazën finale të ankandit. Nëse përgjigja e Autoritetit Shitër do të jetë negative për të, Gurakuqi paralajmëroi ankimim në APP dhe KPP, duke folur madje edhe për ankimim në rrugë gjyqësore.
Në këtë linjë, ai ka shtuar se do të jetë një betejë e gjatë, teksa ks pohuar se ai dhe grupi që përfaqëson, e duan Vllazninë me çdo kusht. Pritet që Autoriteti Shitës të dalë me një vendim për rastin e aplikimit të Almiro Gurakuqit, i cili ka kërkuar të bëjë presion përmes mediave me këtë dalje të tij në Shkodër.
Gjatë gjithë konferencës për shtyp, Gurakuqi është paraqitur si tifoz “i çmendur” i Vllaznisë, arsyeja kryesore sipas tij që ka hyrë në ankand. Ai ka thënë se ka sponsorizuar nga viti 2016 Vllazninë e parë, ekipin e femrave, ekipet e moshave ndërsa për sezonin e fundit ka thënë se nuk i ka kërkuar askush sponsorizime. /ShkodraWeb/