Në prag të sfidës së nesërme, kapiteni Vllaznisë, Erdenis Gurishta, analizoi skuadrën e tij dhe foli me bindje të plotë se shkodranët nesër do të dalin triumfues ndaj Skëndërbeut.
Synimi: “Ne jemi të qetë jemi përgatitur për t’i shkuar deri në fund kësaj Kupe, dhe do t’i shkojmë deri në fund duke fituar trofeun. Normalisht presioni është sepse është finale, për disa këtu dhe për mua sepse ka vite që Vllaznia nuk ka qenë këtu ku është”.
Triumfi: “Vllaznia do fitojë sepse e meriton, kemi bërë një sezon fantastik, jemi më lart se Skënderbeu por kjo nuk do të thotë që jemi më lart se Skënderbeu dhe duhet të neglizhojmë do të bëjmë diçka”.
Ëndrra: ”Një ndër ëndrrat e mi ka qenë të fitoj një titull me Vllazninë, jam shumë afër kësaj ëndrre dhe besoj se nesër do të bëhet realitet”.
Kampionati: “Të vjen keq kur mbyllet kampionati në këtë mënyrë, ta fitojë ekipi kundërshtar vetëm në saj të golavarazhit. Të gjithë e kanë pranuar që Vllaznia është fituesja morale e kampionatit dhe e kanë pranuar që Vllaznia kë bërë lojën më të bukur. Kemi hedhur një hap të madh për të ardhmen dhe fitimi i Kupës do të jetë diçka pozitive po erdhi në Shkodër”.
Motivimi: “Unë në mendjen time jam i bindur që do ta fitojmë Kupën, këtë gjë u kam thënë dhe çunave të gjithë duhet të jenë të bindur për Kupën, por duhet të japim shpirtin në fushë dhe duhet të japim maksimumin, duhet ta dëshirojmë dhe gjithçka do të jetë në rregull”.
Tifozët: “Prania e tifozëve do të ishte gjë e bukur, prisja që ndoshta 30% e stadiumit të hapej, se këtë gjë ka bërë gjithë Europa, e pamë dhe dje në finale e Champions-it, por qeveria ka vendosur të mos hapet. Do ishte një armë plus për ne, por gjithsesi ne do të bëjmë gjithçka për të fituar Kupën dhe pas ndeshjes të festojmë me tifozët”. /Nga Admir URUÇI/