Edhe Lushnja është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Policia bën të ditur se ka arrestuar autorin e vrasjes së një 62-vjeçari dhe plagosjen e djalit të tij. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në ambientet e lokalit të viktimës, si pasojë e një konflikti të castit.
“Në datë 02.06.2021, rreth orës 23:47, në fshatin Fier i Ri, Lushnjë, shtetasi Sofokli Shani, si pasojë e një konflikti të çastit në lokalin në pronësi të shtetasit Rako Qorri, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Rako Qorri, 62 vjeç dhe ka plagosur djalin e tij, shtetasin Kejdi Qorri, 31 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë dhe punës së mirëorganizuar, bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasin Sofokli Shani, 57 vjeç, banues në fshatin Krutje e Sipërme”, sqaron policia.
Gjithashtu Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.