Detaje të reja dalin në dritë në lidhje me zhdukjen misterioze të shefit të Antidrogës për Ulqinin dhe Tivarin në Malin e Zi, Rudolf Elezoviç. Ky i fundit humbi kontaktet me familjen e tij më 27 maj të këtij, në mes të kufirit të ujor të Shqipërisë me Malin e Zi në afërsi të Pentarit dhe Reçit në lumin Buna. Nga hetimet e deritanishme, ka dyshime Elezoviç mund të jetë gjallë.
Dy ditë më parë ministri i Brendshëm i Malit të Zi Sergej Sekuloviq tha në Parlament se Elezoviq mund të jetë ende gjallë dhe se ka disa gjurmë të caktuara, por nuk mund të flasë më shumë për shkak të hetimit.
“Jam njohur me rastin. Shpresoj se ky njeri është gjallë, dhe ne do të shohim diçka tjetër. Ka gjurmë të caktuara, por unë nuk mund t’i shpall ato tani”, tha ai.
Nisur nga kjo deklaratë por edhe nga hetimet e deritanishme të autoriteteve malazeze një prej pistave është se Elezoviq mund të jetë ende gjallë dhe se mund të jetë marrë peng nga grupe mafioze. Sipas burimeve nga hetimet që po bëhen në Malin e Zi por tashmë edhe nga Prokuroria dhe policia e Shkodrës dyshohet se kjo ngjarje kriminale për shefin e Antidrogës në policinë kufitare të Ulqinit ka të bëjë me arrestimin e 24 personave në fillim të muajit shkurt të këtij viti, pjesë e një rrjeti trafikantësh të lëndëve narkotike, operacion në të cilin u sekuestruan 500 kg marijuanë. Ndërkohë po të njëjtit grup policia i sekuestroi në nëntorin e vitit të kaluar 2.6 ton kanabis në një kamion në Podgoricë. Në këtë mënyrë humbja e Elezoviq për momentin sipas hetimeve lidhet me këtë grup kriminal që trafikonin lëndë narkotike drejt Ballkanit dhe vendeve të Europës, një pjesë e të cilëve janë arrestuar.
Ndërkohë dy ditë më parë policia vendore e Shkodrës ka thirrur një shtetas për ta pyetur si person që mund të ketë dijeni rreth humbjes së Rudolf Elezoviq, por personi i pyetur ka mohuar se ka lidhje me këtë ngjarje ndërsa policia ka pasur dyshime se mund të ketë pasur kontakte me 54-vjeçarin që rezulton i humbur. Deri më tani policia e Shkodrës nuk ka asgjë konkrete rreth lëvizjeve të Elezoviq në pjesën shqiptare duke mos ditur se kë ka takuar shefi i Antidrogës i Ulqinit.
Nga ana tjetër mësohet se 54-vjeçari ka dalë nga shtëpia e tij vetëm me celular duke lënë në banesë portofolin, mjetet e identifikimit dhe armën e punës. Autoritetet malazeze kanë kërkuar bashkëpunimin e prokurorisë në Shkodër dhe policisë dhe nga Mali i Zi menjëherë pas denoncimit për humbjen e zyrtarit të lartë nga Ulqini ka mbërritur një dosje Top Secret për të cilën vijojnë hetimet nga të dy shtetet edhe pse deri më tani nuk ka diçka konkrete rreth fatit të Rudolf Elezoviq.
Autoritetet malazeze pas denoncimit të familjarëve për humbjen e 54-vjeçarit nisën hetimet ndërsa sollën materialet edhe në policinë e Shkodrës duke kërkuar kështu bashkëpunim dhje mbështetjen e autoriteteve shqiptare për gjetjen e shefit të antidrogës të Ulqinit dhe Tivarit.
Pala malazeze prej ditësh vijon kërkimet në lumin Buna në kufi me Shqipërinë ndërsa kërkime pritet që të bëhen edhe në pjesën shqiptare. Po ashtu nuk ka asnjë dëshmi lidhur me lëvizjet apo momentet e fundit të 54 vjeçarit Elezoviç përveç dëshmisë së familjarëve të cilët kanë treguar bisedën e fundit me të. Sipas familjarëve biseda e fundit e Elezoviq është: “Po shkoj deri në Shkodër se kam një punë.
Nuk vonohem se kur të vij do i bie shkurt”, është shprehur shefi i Antidrogës, duke nënkuptuar se do të kthehej përmes kufirit ujor të Shqipërisë me Malin e Zi në lumin në Buna në zonën mes Pentarit dhe Reçit.