Me hidhërim mësuam lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të bashkëpunëtorit dhe mikut tonë të çmuar Pier Paolo Ambrosi. Pier Paolon e kemi njohur si një person energjik, pozitiv, tolerant, vizionar, një njeri i cili ka përqafuar misionin për të dhënë kontributin e tij, duke e lënë shoqërinë dhe botën një vend më të mirë. Vepra e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesen dhe zemrat tona.
Pier Paolo që nga viti 2009 ka punuar me zemër për trevën e Malësisë së Madhe duke qenë afër banorëve, për t’i mbështetur ata në nisma që i ndihmojnë të rriten dhe të zhvillohen. Që prej fillimit të njohjes sime me këtë njeri të madh kemi ndarë së bashku dëshirën për të zhvilluar dhe promovuar bukuritë dhe resurset e Malësisë së Madhe.
Pier Paolo na bëri edhe ne të dashuroheshim me vendin tonë, na ndihmoi të shikonim mundësitë dhe potencialet që kemi këtu tek toka jonë, duke kontribuar kështu fuqishëm në ndalimin e emigracionit.
Për punën dhe përkushtimin e tij të palodhur, Bashkia Malësi e Madhe i ka akorduar titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Mbështetje të zhvillimit turistik dhe promovim të vlerave kulturore dhe natyrore të zones sonë Malësi e Madhe”.
Pier Paolo nuk ka vdekur, ai do të vazhdojë të na frymëzojë të bëjmë vepra të mira dhe të lëmë gjurmë pozitive për brezat që do të vijnë. Të nderuar familjarë, miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë të Pier Paolo Ambrosi, dhimbja juaj është edhe dhimbja jonë.
I përjetshëm dhe i paharruar do të mbetet kujtimi i tij në mendjet dhe zemrat tona! Lamtumirë miku im!
Sinqerisht
TONIN MARINAJ