Konstitucionalistja Aurela Anastasi ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të “rrëzuar” qeverinë lidhur me shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Zef Hila. Sipas konstitucionalistes Anastasi, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rikthen automatikisht në detyrë kryebashkiakun Hila.
Në këto kushte, sipas saj, ai mund të vendosë se cilin nga funksionet mund të mbajë, atë të kryebashkiakut apo të deputetit, dhe për këtë duhet të deklarojë vullnetin e tij pranë KQZ.
“Zgjedhja e tij si deputet ka qene ne kushte te rregullta, pasi ai kur u zgjodh nuk ka qene ne detyre. Nderkohe vendimi i Gjykates Kushtetuese e rikthen ne detyre automatikisht. Prandaj, ne keto kushte mendoj se ai mund te vendose se cilin nga funksionet do te mbaje. Per kete duhet te deklaroje perpara KQZ vullnetin e tij”, ka thënë Anastasi.
Kreu i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, u shkarkua nga detyra, pas ngjarjeve të dhunshme të ndodhura në qershor të vitit 2019 në KZAZ nr. 6 në Bushat. Kur bëri publik vendimin e shkarkimit, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se Hila jo vetëm do shkarkohej, por edhe do të ndiqej penalisht. Rama paralajmëroi se kush do do ndjekë shembullin e Zef Hilës do të ketë të njëjtin fat dhe të vihet përpara drejtësisë.
Gati dy vjet pas ngjarjes, Zef Hila u zgjodh deputet i PD në zgjedhjet e 25 prillit. Ai u kandidua në qarkun Shkodër pasi sipas verifikimeve të prokurorisë, rezultoi i pastër dhe i padënuar. /BW/