“Brdariç po bën qejf në Mal të Zi, ndërsa ne po djersimë këtu në Shkodër”. Sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi, e nisi me një batutë intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”. Te kuqeblutë tema e ditës është rinovimi ose jo i kontratës me trajnerin gjerman, Tomas Brdariç. Në dy ditët e fundit pritej një takim për të finalizuar marrëveshjen, por kjo nuk ndodhi.
Të premten trajneri udhëtoi drejt Malit të Zi për të pushuar pak ditë dhe gjasat janë që të bisedojë në fillimin e javës së ardhshme me Xhaferin për të vendosur të ardhmen. Çfarë po ndodh në Shkodër dhe si ka mundësi që klubi nuk e konfirmoi rinovimin me Brdariçin, por prezantoi Plorin? Për këto, por jo vetëm, dje Xhaferi sqaroi gjithçka për gazetën, ndërsa zbuloi edhe kërkesat e disa lojtarëve.
Alban, klubi zyrtarizoi rinovimin me Elvis Plorin dhe jo me trajnerin e parë, Brdariç. Si ka mundësi që e nisët kështu?
Thjesht jemi në proces rinovimesh, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme këtu. Nuk është kjo punë siç mund të ndodhë në një familje, që supozojmë se kanë dy djem dhe një vajzë dhe presin të fejohet një herë vajza, e më pas djemtë. Në futboll nuk ekziston kjo… U takova me Plorin dhe firmosëm. Të njëjtën gjë kam bërë edhe me drejtorin Djarmati. Do të flas me trajnerin, do të firmosë ose nuk do të firmosë… gjithçka është e hapur, por për mua janë diskutime normale.
Çfarë po ndodh me Tomas Brdariçin?
Asgjë nuk po ndodh, Tomas ka shkuar me pushime në Budva dhe po bën qejf. Ndërsa ne po djersimë këtu në Shkodër.
Cila është arsyeja që ju ka penguar për të mos e mbyllur ende marrëveshjen me trajnerin?
Thjesht janë diskutime të hapura, trajneri ka shkuar me pushime dhe do të takohemi sërish.
Po e mendoni një plan B për trajnerin?
Është diçka që në këtë moment nuk mund ta komentoj, pasi janë gjëra të brendshme tonat. Më mirëkuptoni.
Nga sa jemi në dijeni, tetë lojtarë janë tashmë të lirë, pasi u ka përfunduar kontrata. Çfarë planesh keni me ta?
Me disa lojtarë kemi filluar praktikisht negociata rreth rinovimit të kontratës. Duke u konsultuar me drejtorin dhe grupin e punës, nisëm bisedimet me një pjesë. Pastaj, me një pjesë tjetër të lojtarëve nuk do të bëjmë rinovime. Po punojmë në të njëjtën kohë për të gjetur lojtarët që na nevojiten si përforcime në disa pozicione.
Jemi duke kërkuar për një sulmues cilësor, për mesfushorë e mbrojtës. Janë negociata që me një pjesë do të finalizohen shumë shpejt. Zyrtarisht mbi 8 futbollistë janë pa kontratë dhe për momentin nuk quhen më të Vllaznisë, pavarësisht se në kushtet e kontratës që kemi bërë përfshihen edhe Kupat e Europës për gjithsecilin. Jemi në diskutime teknike dhe po shohim mundësinë që me një pjesë të vazhdojmë.
I kanë rritur pretendimet lojtarët që ju kërkoni të rinovoni?
Po, kjo është e vërtetë. Tashmë secili prej tyre ka në CV-në e tij fitimin e një kupe apo më tepër, sepse varet nga lojtarët. Sigurisht ata do të shohin përtej kontratës 1- vjeçare që kanë pasur me ne. Gjithmonë do të mundohemi të gjejmë rrugën e duhur, ose më saktë, një rrugë të mesme që të lërë të kënaqur lojtarët dhe vetë klubin. Normalisht ka edhe lojtarë që kanë kërkesa shumë më të mëdha nga sa kemi ne mundësi dhe nuk ua plotësojmë dot. Gjithsesi, po ju konfirmoj që shumica e lojtarëve pretendojnë për më shumë dhe ky është fakt.
Do të jeni ju pronari i ri i Vllaznisë, a keni garanci për mënyrën se si po shkon ankandi?
Përderisa ka një proces dhe ai vazhdon, normalisht kjo punë nuk mund të flitet me garanci absolute. Unë jam rigoroz ndaj këtij procesi, kam plotësuar të gjithë dokumentacionin që është nevojitur. Jam kualifikuar për në fazën tjetër dhe tani presim procedurat e ankimimeve. Duke menduar pozitivisht, besoj se do të shkojnë gjërat atje ku i presim.