Thomas Brdariç ende nuk ka firmosur me Vllazninë për të drejtuar skuadrën në sezonin e ri. Trajneri gjerman shkëlqeu me kuqeblutë duke bërë një sezon fantastik, megjithatë ende s’ka vendosur për të ardhmen.
Sot pritej që të hidhte firmën “të zezën mbi të bardhë”, por deri tani nuk ka asnjë njoftim nga klubi shkodran. Së fundmi, ai ka bërë një postim në rrjetet sociale duke kujtuar ditën e fitimit të Kupës së Shqipërisë në finalen kundër Skënderbeut (1-0).
Nuk dihet ende nëse është një mesazh lamtumire ky apo thjesht gjermani është bërë nostalgjik me t’u larguar sot nga vendi ynë. Ai ka udhëtuar drejt Gjermanisë për arsye personale, por duhet theksuar se nuk ka akoma një vendim përfundimtar për të ardhmen.
“Kupa është rikthyer në Shkodër. Përshtypje”, shkruan ai në diçiturën e fotos duke treguar gjithë protagonistët që punuan pa pushim në këtë edicion futbollistik në Shkodër./newsport/