Është për tu përshendetur angazhimi i deputetes së zgjedhur të PS- së për Shkodrën me 25 prill, Edona Bilali. Përveç se është ofruar publikisht si “urë” në mes qeverisjes vendore dhe qendrore, javët e fundit Bilali është mjaft aktive në rrjetet sociale. Ajo paraqet përpjekjet e saj për të ndihmuar zhvillimin e Shkodrës si qytet, bashki e qark. Sidomos nuk mungojnë publikimet me biznesmenë, të cilët kanë dhënë apo duan të japin kontribut përmes investimeve të tyre, siç është rasti i atyre nga Turqia.
Nismat e Bilalit duhen vlerësuar. Më së pakti, ajo tregon se nuk ka paragjykime as politike. Hapi i parë ishte takimi me kryebashkiaken Ademi në Bashkinë Shkodër, por sigurisht, edhe shpërndarja apo ripublikimi i eventeve të publikuara së paari në rrjetet sociale të qeverisjes vendore. Të gjitha këto, janë për tu përshendetur.
Po natyrisht, dëshira për të kontribuar, pse jo edhe përmes protagonizmit vetjak qoftë edhe në rrjetet sociale, mund të sjellë edhe pasaktësi. Pikërisht që këto të jenë sa më të vogla për të mos shpërqendruar fokusin e deputetes së zgjedhur të PS- së Bilali, po publikojmë një postimt ë saj jo shumë të saktë.
“Ndoqa lajmin për rifreskimin e Bibliotekës Publike të qytetit “Marin Barleti”. Më vjen mirë që kryetarja e bashkisë e dëgjoi shqetësimin tonë dhe e falenderoj. Ky është sigurisht dhe një ogur i mirë për bashkëpunimin tonë që sapo ka nisur . Gjithsesi, përmirsimi i kushteve aktuale të bibliotekës ishte një hap emergjent por jo i mjaftueshëm.
Vizioni im është transformimi bazuar në një koncept inovativ që garanton jo vetëm nevojat në ndryshim të nxënësve, studentëve dhe studjuesve në periudhën afatmesëm dhe afatgjatë, por i jep atyre dhe Shkodrës një objekt të denjë dhe me standard europian. Ndaj sikundër e di edhe kryetarja, jam në pritje të vazhdojmë punën për transformimin e bibliotekës së qytetit.”, shkruan Bilali në një publikim të fundit.
Besojmë se tashmë, askush nuk e vë në dyshim dëshirën e mirë të Bilalit për të kontribuar e promovuar Shkodrën. Dhe kjo, kur akoma nuk është ulur në karrigen e deputetes, ku kontributi urojmë e shpresojmë, të jetë më i madh dhe i dukshëm në investime publike qeveritare që këto 8 vite në Bashkinë e Shkodrës por edhe në qark, kanë qenë me pikatore.
Për të mos u zgjatur shumë. Ndërhyrja në Bibliotekën Publike “Marin Barleti”, është miratuar nga Këshilli Bashkiak si pjesë e buxhetit të vitit 2021 (mund të klikoni linkun KËTU për ta lexuar online). Ai është miratuar atëherë kur mbase emri i Edona Bilalit sapo kishte nisur të lakohej në rrethe të ngushta si kandidate e mundshme në listën e PS- së. Pra, bashkia “e ka dëgjuar shqetësimin” e Bilalit, akoma pa e shprehur deputetja e zgjedhur. Në këtë rast, do të mjaftonte një falenderim për bashkinë (nëse do të kishte deshirë) dhe jo ta evidentojë ndërhyrjen në Bibliotekën Publike “Marin Barleti” si të ndikuar nga postimet e saj në rrjete sociale.
Ndërhyrjet janë të përvitshme për riparime e mirëmbajtje. Nuk është çeshtje “vizioni” por e planifikimit buxhetor afatmesëm që bën Bashkia Shkodër, e menaxhimit të të ardhurave të veta, ku tani për tani (sepse nuk e dimë nëse situata do të ndryshojë me aktivizimin në shtator të deputetes së zgjedhur Bilali) janë i vetmi burim investimesh.
Dëshira për protagonizëm jo në pak raste, nxit edhe gabime të kësaj natyre. Sigurisht, që nuk i kuptojnë dot të gjithë si funksionojnë gjërat. Sepse keshtu, mjafton të futesh në faqen e Bashkisë Shkodër në internet, të klikosh zërin “shpenzime” në “transparencën e buxhetit” dhe të deklarosh listën e investimeve para se ato të nisin sipas parashikimeve në buxhetin 2021. Kështu, të gjithë mund të thonë e besojnë se të gjitha investimet po nisin pas “apeleve publike” të Edonës. Edhe pse në fakt, janë miratuar në dhjetor 2020 nga Këshilli Bashkiak, i një ngjyre politike me Bilalin.
Ky shënim, nuk ka për qëllim të kritikojë por thjeshtë të ndihmojë deputeten e zgjedhur dhe shkodranët për të kuptuar më mirë realitetin. Sepse ndoshta, pa dashje, bëhen gabime të vockla. Por që me kalimin e kohës, mund të trashen dhe nga dëshira e mirë për të kontribuar për Shkodrën e shkodranët, mund të kthehen në demagogji. Me atë, shqiptarët e shkodranët janë velur tash 30 vjet… /ShkodraWeb/
P.S. Si gjithmonë, jemi të hapur për të mirëpritur dhe botuar çdo mendim, opinion, analizë alternative sa më sipër. Vetë këtë shkrim, e shohim si një mbështetje, promovim dhe vlerësim i përpjekjeve të deputetes së zgjedhur Edona Bilali.