Një smartphone i prodhuar i gjithi në vendin socialisto- komunist, i pajisur me një sistem operativ kuban, së shpejti pritet të dalë në treg në Kubë.
Kompania Industriale për Teknologjinë e Informacionit, Komunikimit dhe Elektronikës “Gedeme”, deklaroi se 6 mijë pajisjet e para të telefonit celular pritet të dalin në treg së shpejti.
Smartphone, i cili do të shitet në dyqanet e ndërmarrjes Kubane të Telekomunikacionit, fillimisht do të përdorë sistemin operativ Android, i cili është edhe më i përdoruri në botë.
Më tej, bëhet me dije se Gedeme synon të miratojë një version të përparuar të NovaDroid, një softuer i zhvilluar në 2013 nga Universiteti i Informatikës në Kubë, i cili përdoret aktualisht në tabletët e prodhuar nga Gedeme.
Ky softuer u konceptua si “një sistem operativ i prodhuar nga kubanët për kubanët, i cili garanton nevojat dhe i përshtatet kushteve teknologjike të vendit dhe në të njëjtën kohë është i sigurt”.
Mësohet se Kuba do të vazhdojë investimet në sistemet operative për kompjuter, laptopë, tableta dhe telefona celular.