Ditën e sotme antarët e Partisë Demokratike në të gjithë vendin janë ftuar të votojnë me parimin “një antar, një votë” kryetarin e ri që do ti udhëheqë edhe për 4 vitet e ardhshme. Edhe në Shkodër, votimi ka nisur dhe po vazhdon pa probleme në selinë e PD- së Shkodër. Në monitorim është edhe kryetari i PD- së Shkodër Xhevdet Amuli.
Në një dalje për mediat ai ka thënë se procesi po ecën normalisht. Deri tani kanë votuar rreth 30% e antarësisë, ndërsa janë të thirrur të votojnë rreth 3 mijë antarë. Amuli thotë se do të lejohet të votojnë të gjithë, edhe ata me karta të vjetra antarësie. I pyetur nga gazetarët, ai thotë se Agron Shehaj nuk ka vëzhgues, ndërsa kanë tre kandidatët e tjerë Harxhi, Kadilli e Basha.
Megjithatë, Amuli nuk e sheh këtë si problem, duke patur parasysh praninë e vëzhguesve të kandidatëve të tjerë në sallën ku votohet ndërsa vëzhguesit e Shehajt janë jashtë saj. Ai e konsideron “luftë të fortë” atë që po zhvillohet për postin e kryetarit, teksa shton se ka jashtë selisë individë që orientojnë antarët se për cilin kandidat të votojnë. Po ashtu, ai thotë se për të njohur fituesin duhet pritur rezultati final pas përfundimit të votimit.